Dyshimi i Nënë Terezës në letrat e fshehta: Ku është besimi im?
Brian Kolodiejchuk

Një përmbledhje e shkrimeve të Nënë Terezës është botuar pak ditë më parë, në 
londinezen “The Times”. Janë ekstrakte nga korrespodenca me miqtë e shenjtores.

“Kjo grua, shkruan gazeta, nuk lëkundej nga varfëria apo kritikat, por nga 
dyshimet që kishte për besimin e saj”. Ndër to, në një prej letrave ku Nënë 
Tereza shkruan për dyshimin, ajo thotë se “nuk ka besim, se këto mendime dhe 
fjalë ka frikë për t’i shprehur, pasi pastaj vuan në agoni nga ajo që mendon”. 
“Nëse ka Zot, atëherë kërkoj falje nga ai. Besoj se e tëra ka për të përfunduar 
në qiell, me Krishtin”, sjell “The Times”, në vazhdim. “Vendi i Zotit në 
shpirtin tim është i zbrazët. Në mua nuk ka Zot. Kur dhembja e mallit (për të) 
është aq e fuqishme unë vetëm digjem e digjem nga malli dhe atëherë e ndiej se 
Ai nuk është aty”. E tërë jeta ime është përplot me kundërshtime. Unë i ndihmoj 
shpirtrat për të shkuar ku? Pse e gjithë kjo? Ku është shpirti në vetë qenien 
time”?, vazhdon shkrimi. Ajo megjithatë në njërin shkrim thotë se përkundër 
asaj që ajo ndien, ajo
 vazhdon t’i buzëqeshë, si Zotit ashtu edhe të tjerëve.Një koleksion i 
shkrimeve të Shenjtës së Kalkutës, e tregon atë shumë të shqetësuar nga 
varfëria dhe kritikat, por të torturuar nga dyshimet mbi besimin e saj. Më 17 
gusht 1948, e veshur me një sari të bardhë me shirit blu, Nënë Tereza, një 
murgeshë evropiane jo vetëm në Indinë e sapo pavarur, ka vendosur të fillojë 
një jetë të re si Misionare e Bamirësisë. Mënyra e saj e jetesës do të ishte e 
re sa edhe kostumi i saj. Duke marrë parasysh “varfërinë absolute”, si pjesë 
esenciale të misionit të saj të ri, ajo zgjodhi të largohej nga komuniteti 
Loreto me vetëm pesë rupi. Kalkuta, me të cilën u përball, ishte ndikuar nga 
Lufta e Dytë Botërore, kriza e vitit 1943 dhe sherret e vazhdueshme. Menjëherë 
pasi India fitoi pavarësinë, fluksi i njerëzve në kryeqytetin e Bengalit ishte 
shumë i madh dhe banorët e rrugëve ishin nën mëshirën e
 sëmundjeve, urisë dhe të pangrënët.


Në ditën e saj të parë në lagjet e varfra të Kalkutës 

“Në orën 8 të mëngjesit Veronika Gomes, (udhërrëfyesja ime për në zonat e 
varfra) dhe unë dolëm. U nisëm në Taltala dhe shkuam në çdo familje katolike. 
Njerëzit ishin të kënaqur, por kudo kishte fëmijë. Dhe çfarë pisllëku dhe 
mjerimi, çfarë varfërie dhe dhimbje. Fola shumë pak: Vetëm pastrova disa plagë, 
dhe u dhashë ilaçe disave. Një plaku të shtrirë në rrugë, tërësisht i vetëm, i 
sëmurë dhe duke vdekur, i dhashë karborson dhe ujë dhe ai më ishte kaq 
çuditërisht mirënjohës. Shkuam në pazarin e Taltalas, dhe atje ishte një grua 
shuam e varfër duke vdekur, mendoj më shumë nga uria sesa nga tuberkulozi. 
Çfarë varfërie. Çfarë dhimbje. I dhashë diçka që do ta ndihmonte të flinte, por 
gruaja më përgjërohej të kujdesesha për të. Pyesja veten se edhe sa kohë do të 
zgjaste, (temperatura e saj ishte 35.56 gradë C). Ajo kërkoi disa herë të 
rrëfehej dhe Lidhje shpirtërore. Unë aty ndjeva
 vetë varfërinë time, sepse unë nuk mund t’i jepja asgjë asaj gruaje të mjerë. 
Bëra çdo gjë që munda, por nëse do të kisha qenë në gjendje t’i jepja një 
filxhan me qumësht të ngrohtë, trupi i saj i ftohtë do të mund të merrte pak 
jetë. Duhej të përpiqesha dhe të ikja diku afër, për të kërkuar tek njerëz të 
tjerë gjërat që më duheshin”. 


Mbi ata që e kritikuan shenjtoren 

Përveç varfërisë, mjerimit dhe pasigurisë me të cilat përballej nënë Tereza, 
kishte edhe kritika. Kjo nuk e alarmoi atë, siç treguan mënyrat e saj të 
besimit. “Unë besoj se disa po thonë se çfarë vlere ka puna e të ulëtëve mes më 
të ulëtëve; po nëse të mëdhenjtë, të diturit dhe të pasurit janë gati të vijnë, 
është mirë t’u japim forcë të plotë atyre. Po, le t’i lëmë ta bëjnë këtë. 
Mbretëria duhet të predikohet tek të gjithë. Nëse të pasurit hindu dhe 
myslimanë do mund të kishin dhënë të gjithë shërbimin dhe përkushtimin e kaq 
shumë priftërinjve dhe murgeshave, sigurisht të varfrit e të varfërve dhe të 
ulëtit e të ulëtëve mund të kenë dashurinë dhe përkushtimin tonë më pak. ‘Motra 
e lagjeve të varfra’ më quajnë mua, dhe unë jam krenare të jem e tillë veç për 
dashurinë dhe lavdinë e Tij”, shkruan në një tjetër letër ajo. 


Mbi nisjen e misionit 

Në vitin 1950 u formua zyrtarisht Shoqëria e Misionares së Varfërisë në 
Kalkuta; vitin tjetër motrat filluan periudhën e stazhit si Misionare të 
Bamirësisë. Por jo të gjithë e mbështetën më pas reputacionin e Nënë Terezës 
për mëshirën dhe përuljen. Akuza dhe thashetheme u përhapën mes murgeshave të 
Loretos dhe Bijave të Shën Ann. Nënë Tereza i besoi Arqipeshkvit të Kalkutës, 
Rev Ferdinand Périer: “Unë po përballem mirë me Djallin dhe punën, ndërsa puna 
e tij vazhdon. Një ditë gjithçka do të jetë e qartë. Unë e dua Loreton, po aq 
shumë nëse nuk mund të them më shumë tani sesa e kam dashur për kaq shumë vjet. 
Unë lutem për ta shumë shpesh, dhe ‘persekutimi’ i tyre më bën ta dua më shumë 
zanatin tim të ri”. 


Mbi përgjërimin 

Tre vite më vonë, Nënë Tereza dha një përshkrim të detajuar të eksperiencës së 
saj shpirtërore. “Unë dua t’ju them diçka, por nuk di se si ta shpreh. Unë po 
përgjërohem ... të jem e gjitha për Zotin, të jem e shenjtë në një farë mënyre, 
që Jezusi të mund të jetojë jetën e tij brenda qenies sime. Sa më shumë e dua 
atë, aq më pas ndjehem e dëshiruar. Unë dua të dua atë siç Ai nuk është dashur 
më parë, por prapë është ajo ndarja, ajo zbrazëtirë e tmerrshme, ajo ndjesi e 
mungesës së Zotit. Unë nuk po ankohem, unë dua vetëm të shkoj gjatë gjithë 
udhës me Krishtin”, shkruan shenjtorja, duke vazhduar më tej, “më thonë çfarë 
mund të bëjë fëmija juaj. Unë dua të bindem me çdo kusht, dhe nëse ju më thonë 
të vazhdoj kështu deri në fund të jetës sime, unë jam gati të bindem më gëzim. 
Ka kaq shumë kontradikta në shpirtin tim. kaq shumë dëshirë për Zotin, kaq 
thellë sa
 është e dhimbshme, një dhimbje e vazhdueshme, dhe ende jo e kërkuar nga Zoti, 
e refuzuar, e zbrazur, pa besim, pa dashuri, pa zell. Shpirti nuk ka asnjë 
tërheqje – Parajsa nuk do të thotë asgjë: për mua ajo duket si vend i zbrazur – 
por ende me këtë torturën për dëshirën për Zotin. Lutuni për mua, ju lutem, që 
unë të vazhdoj t’i buzëqesh Atij përtej gjithçkaje. Unë jam e lumtur në mënyrë 
perfekte që jam askush, edhe për Zotin”. 

Mbi lebrën 

“Kushtet nën të cilat familjet e lebrozëve jetonin ishin të tmerrshme. Unë do 
të doja t’u jepja atyre shtëpi më të mira, t’i ngrija ata afër Zemrës së 
Shenjtë, t’i bëj që ta dinë se edhe ata janë fëmijë të dashur të Zotit dhe kanë 
një arsye për të jetuar. Unë dua të ndërtoj dalëngadalë një fshat të vogël, ku 
lebrozët tanë të jetojnë jetë normale. Nëse vetëm ta dinit se çfarë po kalon 
nëpër zemrën time. Ndonjëherë dhimbja është kaq e madhe, saqë unë ndjej sikur 
çdo gjë mund të thyhet. Buzëqeshja është një mantel i madh, që mbulon dhimbje 
të shumëfishta”, shkruan në një tjetër letër. 


Mbi udhëtimin e saj shpirtëror 

Në vitin 1957 prifti jezuit, Joseph Neuner, ka shkruar një artikull për Nënë 
Terezën në një revistë misionare gjermane. Pak vite më vonë ai vizitoi Kalkutën 
dhe ata u takuan përsëri. Më pas ajo i shkroi atij, duke përshkruar pikat 
kryesore të udhëtimit të saj shpirtëror: “Në Loreto, At, unë isha shumë e 
lumtur. Mendoj murgesha më e lumtur. Më pas erdhi thirrja. Përsëri e përsëri. 
Ai kërkoi në vitin 1946. Unë e dija që ishte Ai. Frikë dhe ndjenja të tmerrshme 
– frikë se mos kisha vdekur. Por ndërsa unë jetoja gjithnjë në bindje unë e 
vura të tërë qenien time përpara atit shpirtëror, me shpresën se gjatë të 
gjithë kohës ai do të thoshte se ishte i gjithë mashtrim i Djallit. Por jo, 
njëlloj si zëri, ai tha se është Jezusi ai që po të thërret. Më pas ... 
Superiorët e mi më dërguan në Asansol [Bengali Perëndimor] në vitin 1947. Dhe 
atje [atje ishte] ndodhi sikur Zoti ynë e dha veten e tij
 plotësisht brenda meje. “Puna filloi në dhjetor 1948. Në vitin 1950, dhe 
ndërsa numri i Motrave rritej, rritej edhe puna. Tani, At, që në vitin 1949 apo 
1950 lindi kjo ndjesi e tmerrshme humbjeje, kjo errësirë e pa treguar, kjo 
vetmi, kjo dëshirë e vazhdueshme për Zotin, e cila më jepte dhimbje deri thellë 
në zemër. Errësira është e tillë sa unë nuk mund ta shoh, as me mendjen time as 
me arsyen time. Vendi i Zotit në zemrën time është i zbrazët. Nuk ka Zot brenda 
meje. Kur dhimbja e është kaq e madhe dhe e gjatë për Zotin dhe më pas është 
ajo që ndjej sikur Ai nuk më do, Ai nuk është atje. Jeta ime duket kaq shumë 
kontradiktore. Unë ndihmoj shpirtrat – për të shkuar ku? Pse e gjithë kjo? Ku 
është shpirti në qenien time? Zoti nuk më do. Ndonjëherë unë dëgjoj vetë zemrën 
time që bërtet ‘Zoti im’ dhe asgjë nuk përgjigjet. Torturë dhe dhimbje që nuk 
mund ta shpjegoj. Që fëmijë unë kam
 pasur një dashuri shumë të ëmbël për Jezusin në Betimin e Shenjtë, por edhe 
kjo është larguar. Megjithatë unë nuk do ta humbisja lidhjen shpirtërore për 
asgjë. “E shikoni, At, sa kontradikta në jetën time. Unë përgjërohem për Zotin, 
unë dëshiroj ta dua Zotin, të jetoj vetëm me dashurinë për Të, por ende nuk ka 
asgjë tjetër veç dhimbje, përgjërim dhe aspak dashuri. Vite më parë, rreth 17 
vjet që tani, unë lidha veten me dhimbje të Mëkatit Mortor, se nuk do ta 
refuzoja për asgjë. Që atëherë, unë e kam mbajtur këtë premtim dhe kur 
ndonjëherë errësira është shumë e errët dhe unë jam në kufi për t’i thënë ‘jo’ 
Zotit, por kujtimi i atij premtimi më zgjon. “Unë dua vetëm Zotin në jetën 
time. ‘Puna’ është e vërtetë dhe vetëm e Tij. Ai drejton çdo lëvizje që unë 
kryej, ai vendos fjalët në gojën time, më bën t’u mësoj Motrave udhën. Gjithçka 
dhe çdo gjë në qenien
 time është Ai. Kjo është arsyeja, që kur bota më mburr mua kjo nuk e prek 
shpirtin tim. Përpara se unë të kaloj orë para Zotit tonë, ta dua Atë, të flas 
me Të; tani edhe çdo meditim shkon siç duhet. Por ende thellë në zemrën time ai 
përgjërim për zotin vazhdon të çajë errësirën. Kur jam duke punuar apo takon 
njerëz kam një ndjesi, që është dikush tjetër që jeton shumë pranë, brenda 
meje. Unë nuk e di se çfarë është por shumë shpesh, ajo dashuri për Zotin bëhet 
vërtet shumë reale. Unë e gjej veten duke i thënë Jezusit pa vetëdije shprehje 
të çuditshme dashurie. “Shumë shpesh tentoj të përdor ushqimin që iu jap 
motrave, por unë nuk mund ta bëj kurrë këtë. E njëjta për librat shpirtërorë. 
Të gjithë këto gjëra ishin kaq të natyrshme brenda meje, derisa Zoti ynë erdhi 
plotësisht në jetën time. Unë e desha Zotin me të gjitha fuqitë e një zemre 
fëmijërore. Ai ishte qendra e
 gjithçkaje që unë kisha thënë dhe bërë. Tani At, është kaq errësirë, kaq 
ndryshe, por ende gjithçka e imja është e Tij, megjithëse Ai nuk më do, nuk 
kujdeset për mua. Kur puna filloi, me gjithë zemrën time unë pranova gjithçka. 
Motrat e mia, At, janë dhurata e Zotit për mua, ato janë të shenjta për mua, 
secila prej tyre. I dua më shumë sesa dua veten. Zemra shpirti dhe trupi im i 
përkasin vetëm Zotit, që ai i ka hedhur tutje si fëmija i padashur i dashurisë 
së tij. Dhe me gjithë këtë, At, unë e kam marrë vendimin që të jem në 
dispozicion të Tij. Le të bëjë me mua çfarë të dojë, si të dojë, për sa kohë të 
dëshirojë. Nëse errësira ime është dritë për ndonjë, edhe nëse ai nuk do të 
jetë asnjë për askënd, unë jam e lumtur në mënyrë perfekte të jem lulja e Zotit 
në fushë”. 

Mbi këmbënguljen 

Në shtator 1962, duke i shkruar Reverendit Laurence Picachy (më pas Arqipeshkv 
i Kalkutës), Nënë Tereza nënvizoi errësirën e anës së saj të brendshme. “Ditën 
tjetër nuk mund t’ju them se sa keq u ndjeva. Kishte një moment kur unë gati sa 
refuzova të bindem. Me qëllim mora tespihet dhe shumë ngadalë, pa medituar apo 
menduar, fola ngadalë dhe me qetësi. Momenti kaloi por errësira ishte kaq e 
errët, dhimbja kaq e dhimbshme. Por unë u binda për çfarëdo që më dha Ai dhe 
dhashë çfarëdo që Ai mori. Njerëzit thonë se po lëshohen më afër Zotit, duke 
parë besimin tim të fortë. A nuk janë këta njerëz të mashtruar? Çdo herë që unë 
kam dashur të them të vërtetën, ‘Unë nuk kam asnjë besim’, fjalët thjesht nuk 
më vinin, goja ime mbetej e mbyllur. Megjithatë kam ende buzëqeshjen për Zotin 
mbi të gjitha”. 

(Marrë nga The Times)


Letrat e shenjtores botohen në Londër


Në këtë libër të ri me letrat personale të Nënë Terezës, që pritet të dalë së 
shpejti në Londër del në pah se gjatë jetës së saj, shenjtorja Nënë Tereza 
kaloi një krizë besimi dhe kishte përjetuar ndjesinë se ishte braktisur nga 
Krishti. Vitet e errëta shpirtërore të Nënë Terezës nuk ishin bërë publike deri 
tashmë. E ndërsa një vit më parë u bë publik dhe lajmi për publikimin e tyre. 
Sipas gazetës “The Times” të datës 5 gusht 2008, mësohet se nga dita në ditë 
pritet që libri i shenjtores të pushtojë libraritë. Përpëlitjet e Nënë Terezës 
me dyshimet për besimin e saj duken qartë në letrat e saj private, kur 
shkruante se ndjente “një errësirë të tmerrshme brenda saj”. At Brian 
Kolodiejchuk redaktoi librin “Bëhu drita ime: Letrat personale të shenjtores së 
Kalkutës” që doli nëpër librari anglisht. Ai e kishte njohur Nënë Terezën për 
20 vjet. “I gjithë libri është si
 një koment për atë që unë e quaj objektivi i misionit të Nënë Terezës: Nëse 
bëhem ndonjëherë shenjtore, do të jem shenjtorja e errësirës. Nuk do të jem e 
pranishme në Parajsë, por do t’u ndriçoj rrugën e atyre që janë mbështjellë nga 
terri në tokë”.


Mbi dyshimin 

Por Nënë Tereza ishte e paaftë të shprehte veten, edhe tek ata që besonte më 
shumë, të cilët kontribuonin në ndjesinë e saj të izolimit. Megjithatë në lutje 
ajo mund ta shprehte veten, dhe dyshimet për besimin e saj, me lehtësi. “Zoti 
im, Perëndia im, kush jam unë që Ju të më mohoni? Fëmija i dashurisë Suaj, dhe 
tani jam bërë më e urryera, fëmija që ju keni hedhur tutje si të padëshiruar, 
të padashur. Unë thërras, unë kacavirrem, unë dua dhe ende nuk ka Asnjë që të 
më përgjigjet, Asnjë të cilit t’i thërras. Errësira është kaq shumë e errët dhe 
unë jam vetëm. E padëshiruar, e mohuar. Vetmia e zemrës që do dashuri është e 
padurueshme. Ku është besimi im? Edhe thellë brenda meje nuk ka asnjë përveç se 
zbrazëtirë dhe errësirë. Unë nuk kam besim. Nuk guxoj të shpreh fjalët dhe 
mendimet, që rrotullohen në zemrën time dhe më bëjnë të vuaj në agoni të 
pathënë. Kaq shumë pyetje pa
 përgjigje jetojnë brenda meje. Kam frikë t’i zbuloj ato, për shkak të 
blasfemisë. Nëse Zoti është atje, të lutem më fal. Besoj se çdo gjë do të marrë 
fund në parajsë me Jezusin. Kur unë përpiqem t’i ngre pyetjet e mia në parajsë 
ka kaq zbrazëtirë bindëse, saqë ato pyetje kthehen si thika të mprehta dhe 
ngulen në shpirtin tim. Dashuria, fjala, nuk sjell asgjë. I them vetes se Zoti 
më do, por prapë realiteti i errësirës dhe ftohtësisë dhe zbrazëtirës është kaq 
i madh sa asgjë nuk e prek shpirtin tim. Përpara se të fillonte puna kishte kaq 
shumë unitet: dashuri, besnikëri, besim, lutje, sakrificë. A mos bëra gabimin e 
dorëzimit verbërisht thirrjes së Zemrës së Shenjtë? Puna nuk është një dyshim, 
sepse unë jam e bindur se është e Tij, jo e imja. As edhe një mendim i vetëm 
apo ngasje hyn në zemrën time për të pretenduar ndonjë gjë në këtë punë. Eshtë 
manteli me të cilin unë mbuloj
 zbrazëtirën dhe mjerimin”.

http://www.panorama.com.al/index.php?id=17762

   Senad  Maku - Ulqin  Studime Komperative rreth: BIBLES dhe KURANIT  
www.bibladhekurani.com  www.geocities.com/bibladhekurani


      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan