Karvani i fjalës së mirë Hamdi Nuhiju
Fjala e mirë është e ngulur thellë në tokë dhe e zgjatur deri në qiej. Frytet e saj i marrin të gjithë krijesat duke filluar me njerëzit e duke përfunduar edhe me krijesat më të imta të imtësisë. Rruga e saj është e ngjyrosur dhe e lyer me erëra xhenneti. Fillimi lehtësohet me mendimin e ndihmës së Zotit, ndërsa përfundimi buzëqeshet nga velja e frutave të pafundme. Frutat e saj dhjetëfishohen, ndërsa ndjenjat e dashurisë stërzgjaten me vënien në pah të elementit të hyjnores tek një copë mishi e ngjeshur në brendësinë e trupit. E ti vrapon vazhdimisht pas fjalës së mirë edhe pse goja dhe shpirti yt është i helmuar me fjalë dhe vepra të këqija. Nga goja nuk të del asnjë fjalë e mirë, ndërsa synon vazhdimisht fjalën e mirë. Nga fjala e mirë përfitojnë njerëzit e mirë, dhe jo ato njerëz që kanë zemrën e tyre të helmuar me paragjykime. Djalli për vjedh zemrat e njerëzve duke i mbushur me paragjykime dhe cytje të tij. Ai në këtë mënyrë njeriun e shndërron në ushtar të tij dhe ndjekës të rrugës së tij deri në ditën e humbjes. Edhe pse i humbur dhe i larguar nga mëshira e Zotit, ai,pra djalli, prapë beson Allahun e Plotfuqishëm dhe njeh Madhërinë e tij. Për asnjë moment nuk largohet nga ajo Madhëri dhe nuk guxon që as ta paramendoj jetën e tij me logjikën e mosnjohjes së Allahut. Ai e njeh Atë, pra Allahun, por nuk i bindet urdhrave të tij. Paramendoni për ndjekësit e djallit të mallkuar që janë të helmuar me fjalët e këqija, nuk njohin Allahun dhe normal edhe nuk i binden urdhrave të tij. Fjala e keqe është ajo e thënë pa kuptim, ose edhe me kuptim të keq. Shpeshherë ndjenjat thyhen e lëndohen duke u përdorur fjalët e këqija që thuhen pa u menduar fare se çfarë po thuhet dhe çka po veprohet. Biseda e zemrave me botën e jashtme bëhet përmes fjalëve të mira, ndërsa urrejtja e zemrave me botën e jashtme dhe rrënimi e raporteve shoqërore që kanë rrënjë në zemër bëhet përsëri nga nxjerra në pah e tingujve në formën e fjalëve të këqija. Fara e parë e mbjelljes së veprës së keqe në shoqëri bëhet përmes tingujve të nxjerra në formë fjalësh. Edhe fillesa e veprës së mirë bëhet përmes tingujve. Edhe pse para tingujve mendimet vlojnë, por ato janë ndikuar nga fjalët e dëgjuara ose lexuara diku dhe janë krijuar si mendime në mendjen e njeriut. Fillesa logjike e gjërave është tek fjala. Por, arsyeja duhet të perceptoj fjalën e mirë si pjesë të lëvizjes së raporteve shoqërore drejtë përmirësimit dhe thirrjes së njerëzimit kah vlerat pozitive. Thotë Allahu xh.sh. në suren Ibrahim ajeti 24-27 :” A nuk ke kuptuar se si All-llahu bëri shembull: fjalën e mirë si pema e mirë që rrënjët e saj janë thellë (në tokë) e degët e saj janë lart, që me vullnetin e Zotit, ajo e jep frytin e vet në çdo kohë. All-llahu pra u parashtron njerëzve shembuj ashtu që ata të mendojnë. Dhe shembulli i fjalës së keqe është si një pemë e keqe që është shkulur mbi tokë e që nuk ka të qëndruar. All-llahu i forcon ata që besuan në fjalën e fortë (të mirë) në jetën e kësaj bote edhe në botën tjetër, ndërsa mizorët All-llahu i bën të humbur. All-llahu punon çka të dojë.” Paramendo, Allahu xh.sh. në Kur`an emërton një sure të tërë me emrin e Pejgamberit Ibrahim, njeriut i cili gjatë tërë jetës së tij nxori vetëm fjalë të mira dhe asnjëherë fjalë të këqija. Dhe mund ta marrësh me mend, që po në këtë sure me një emërtim të këtillë, Ai, pra Allahu, flet dhe krahason fjalën e mirë me pemën e mirë dhe fjalën e keqe me pemën e keqe. Karvani i fjalës së mirë qëndron gjatë kohë në rrugën e thirrjes, nëse vetëm ti o lexuesi i im mundohesh që për hir të Allahut të bëhesh prijësi i saj. Shumë lehtë arrihet kjo gjë. Thjeshtë duhet ta pastrosh zemrën nga paragjykimet dhe urrejtja dhe në zemrën tënde të mbjellësh mendimet e mira, dashurinë, sinqeritetin e besimin në Allahun xh.sh. Kontrolloi: Gentian Jetishi -- Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur
