http://www.gazetaexpress.com/web/index.php/artikujt/lexo/32215/C5/C17/

Turqia, mes islamit dhe Evropës
Aleate e Perëndimit, por për sa i përket kulturës, është e lidhur me pjesën 
tjetër të botës islame. Qeveria e Ankarasë përpiqet që të imponohet në rajon si 
ndërmjetëse e paqes në Lindjen e Mesme, por sigurisht që rruga është plot me 
pengesa 

Nga Express  më 09.06.2010 në ora 13:00
Ditët e inatit të madh duket se kanë përfunduar dhe tashmë e vetmja gjurmë e 
dukshme është një poster i madh që ka mbetur varur në një mur në sheshin 
“Taksim”, në të cilin shkruhet: “Izrael vrasës. Poshtë duart nga anijet tona”. 
Retorika zyrtare që pasoi ngjarjen e një jave më parë, kur komandot izraelite 
sulmuan anijen e ndihmave që po shkonte drejt Gazës, ka qenë e ashpër në shtatë 
ditët e fundit, duke kaluar edhe në deklarata ekstreme, e megjithatë të shumtë 
kanë qenë ata ekonomistë vendas që bënë një pyetje të thjeshtë: Sa do t’i 
kushtojë Turqisë një prishje e marrëdhënieve me Izraelin? 

Koha do ta tregojë nëse bëhet fjalë vetëm për retorikë, apo do të merret në të 
vërtetë ndonjë masë, por në veshët e turqve dhe të hebrenjve do të ushtojë për 
një kohë të gjatë deklarata e presidentit të vendit, Gul: “Turqia nuk do të 
harrojë”. E megjithatë, kjo lloj retorike mund ta çonte situatën edhe në 
ekstremet e saj. Së pari mund të ishte krijuar një klimë e superngarkuar, që do 
të kishte shërbyer si pretekst për islamikët ekstremistë, të gatshëm për t’iu 
hedhur përsipër kujtdo që bie ndesh me linjën e tyre, duke filluar nga 
bashkatdhetarët e tyre jomyslimanë, e deri te hebrenjtë. Ndërkohë, retorika dhe 
qetësimi i saj tregojnë edhe një paqartësi të qëndrimit të ri turk në Lindjen e 
Mesme. A do të mund të vazhdojë ajo të sillet si një fuqi rajonale, çka 
sigurisht nuk do t’i pëlqente aspak Izraelit? A e ka vallë Turqia vendosmërinë 
dhe mjetet për të ngulmuar, për të
 sfiduar, pra për të qenë pjesë e një loje në të cilën kërkon të hyjë, duke mos 
e kuptuar ndoshta plotësisht se nga cilat rregulla të pamëshirshme drejtohet?

Gjatë demonstrimit të forcës javës që shkoi, veç turqve, edhe arabët valëvitën 
të ekzaltuar flamujt turq dhe shprehën me zë të lartë entuziazmin ndaj 
kryeministrit Erdogan. Gjatë atyre ditëve, Evropa u përshkua nga drithërima e 
idesë se mos otomanët e rinj ishin duke përfituar nga vakuumi i krijuar në 
Lindjen e Mesme. Katër ditë më parë, mijëra myslimanë u grumbulluan para 
xhamisë së Fatih Camit dhe u lutën para 9 qivureve të aktivistëve të vrarë të 
mbuluar me flamuj turq dhe palestinezë. Në fakt është një vend me simbolikë të 
veçantë, që organizatorët e ceremonisë- partia e vogël islamike Sadet, në 
opozitë - me siguri që e kanë ditur mirë. Në një ndërtesë të vogël, në një cep 
të oborrit, ndodhen eshtrat e Sulltan Mehmetit, atij që, sipas vetë pllakës që 
ndodhet në hyrje të ndërtesës, “shkatërroi Perandorinë Bizantine dhe pushtoi 
Stambollin”, mundi serbët, rumunët, kroatët,
 shqiptarët dhe arriti që t’u mbijetonte 13 tentativave që iu bënë për ta 
asgjësuar fizikisht me urdhër të venedikasve.

Por herën e 14-të nuk ia doli dot mbanë dhe ajo u shndërrua në fatalitet për 
të. Kështu sulltani vdiq i helmuar nga Jakup Pasha, ose mjeshtër Jakupi 
(hebre). I shkreti Jakup, u shndërrua në një kurban të zakonit të atëhershëm, 
që kur ndodhte ndonjë vrasje apo ndonjë gjëmë, fajin për këtë e kishin 
zakonisht hebrenjtë, ose të paktën ata ishin të dyshuarit e parë. E megjithatë, 
në historinë e Perandorisë që po lindte me Mehmetin, hebrenjtë nuk shiheshin 
aspak me sy të keq. Kështu, ata patën role të dorës së parë në administratë dhe 
gjetën te turqit mbështetje dhe strehim kur persekutoheshin nga të krishterët. 
Dhe kjo traditë shekullore përbën shpjegimin se përse marrëdhëniet mes Turqisë 
dhe Izraelit në fillimin e tyre ishin më miqësore. Turqia ishte shteti i parë 
mysliman dhe për një kohë të gjatë i vetmi që arriti të njihte shtetin e 
Izraelit të krijuar në vitin 1949. Më pas, në vitin
 1954, reparte të marinës hebreje bënë një paradë në mes të Stambollit, mes 
turmës së njerëzve që i përshëndesnin. Sigurisht që një veprim i tillë do të 
ishte i pamundur sot, me rrjedhën që kanë marrë ngjarjet. Sipas shumë 
vëzhguesve dhe analistëve të marrëdhënieve mes hebrenjve dhe Turqisë, në detin 
e Gazës nuk u vranë vetëm 9 persona, aktivistë të paqes, por u mbyt dhe u 
fundos një epokë e tërë, ajo e marrëdhënieve të dashurisë mes dy vendeve. Po 
cili ishte shkaku kryesor i këtij fundi? A ishte islami ai që i ndau të dyja 
vendet dhe i shndërroi brenda natës në armiq? Apo ndoshta interesi personal? Në 
vitet ‘70, Turqia nuk ishte më pak laike dhe kemaliste se më parë, por u largua 
nga Izraeli për t’u afruar më shumë me arabët e Gjirit, e për të ngritur 
ekonominë e shkatërruar.

Nafta dhe paratë e nxjerra prej saj ishin një burim i madh fitimesh deri në 
vitin 1989, kur të dyja vendet, pra Izraeli dhe Turqia, zbuluan që ndanin të 
njëjtën situatë: izolimin ndërkombëtar. Ishin informatat e Mosadit dhe 
fotografitë ajrore të ofruara prej tij ato që u dhanë mundësinë turqve që të 
spiunonin ndaj Partisë Punëtore të Kurdistanit të Oçalanit, kur anëtarë të saj 
stërviteshin në Siti. Këto interesa të përbashkëta sollën një riafrim mes dy 
vendeve dhe një aleancë strategjike (1996) që vazhdon edhe sot të funksionojë. 
Në ato vite ndodhnin gjëra që për vende të tjera myslimane konsiderohen të 
pamundura. Për shembull, në stadiumin e Stambollit, tifozët e Fenerbahçes 
valëvisnin një flamur hebre me yllin e Davidit, për nder të një lojtari 
izraelit të skuadrës. 

Turistët turq në Izrael dhe anasjelltas, turistët hebrenj në Turqi, gëzonin 
maksimumin e ndereve dhe favoreve që u rezervoheshin të huajve. Por kjo 
perspektivë ndryshoi në vitin 2002, kur erdhi në qeveri AKP-ja, ose 
ekuivalentja e një partie të demokracisë së krishterë e variantit mysliman. 
Sipas shumë njohësve të kësaj partie, ajo nuk ishte armiqësore ndaj Izraelit. 
Ajo nuk e denoncoi kurrë marrëveshjen e bashkëpunimit strategjik, që vazhdon 
mes shërbimeve sekrete të të dyja vendeve edhe sot e kësaj dite dhe as nuk i 
ndërpreu projektet e bashkëpunimit ushtarak, që kanë një qarkullim parash prej 
2 miliardë dollarësh. 

Por duke qenë se është një parti islamike, ajo synon që të shtrijë lidhjet e 
saj me vendet arabe, duke zgjeruar kësisoj zonën e influencës së Turqisë edhe 
në të gjithë Lindjen e Mesme. Kjo është edhe një nga arsyet që zuri pozicionin 
e “ndërmjetësit”, pra për shkak të marrëdhënieve shumë të mira me vendet arabe 
dhe Izraelin, si dhe me perëndimorët. Pikërisht në cilësinë e këtij roli pati 
mundësinë që të organizonte një lloj dialogu në distancë mes sitianëve dhe 
izraelitëve. Por ngjarja që e përkeqësoi menjëherë situatën ishte marrëveshja 
përmes së cilës Turqia dhe Brazili ranë dakord me Teheranin në lidhje me një 
kompromis për çështjet bërthamore. 

Prej këndej lindi pyetja: Cila është arsyeja që Turqia e ndihmon Teheranin për 
t’u shpëtuar sanksioneve të kërkuara nga Shtetet e Bashkuara dhe një pjesë e 
komunitetit ndërkombëtar? Në fakt, bëhet fjalë për një interes legjitim. 10 
miliardë dollarë është shifra e shkëmbimeve tregtare me Iranin. Dhe në rast të 
vendosjes së sanksioneve, kjo shifër do të zhdukej. Por përmes një iniciative 
të tillë, Turqia u shfaq si një fuqi rajonale e pavarur, në gjendje që të 
frikësonte Izraelin dhe të mos i bindej më Uashingtonit për çdo dëshirë të tij. 
Dhe sipas shumë izraelitëve, Turqia e tejkaloi atë që konsiderohet si linjë e 
kuqe. Por këtë Ankaraja e kuptoi pak me vonesë. Fondacioni islamik që organizon 
“Flotën e lirisë” është i lidhur me Saadet, po ajo parti që doli të priste 
arkivolet e 9 viktimave të sulmit hebre. Qeveria ndërkohë nuk iu kundërvu një 
veprimi të tillë edhe për shkak të
 zgjedhjeve që do të organizohen vitin e ardhshëm, duke mbajtur një qëndrim 
asnjanës dhe të tërhequr ndaj kësaj iniciative. Për sa i përket reagimit ndaj 
ngjarjes, bëhet fjalë më tepër për një reagim të ashpër verbal, sesa konkret. 
Sipas një sondazhi të fundit, 60 % e turqve kanë deklaruar se prisnin veprime 
konkrete nga qeveria e tyre ndaj ngjarjes dhe jo vetëm fjalë. Më pas qetësohet 
që të ulë gjakrat edhe me ndihmën e mendimtarit të famshëm sufi, Feitullah 
Gulen, që është edhe mbështetës i partisë në pushtet- i cili në një intervistë 
të fundit të dhënë për një gazetë amerikane dënon si izraelitët, ashtu dhe 
Flotën e lirisë –që sipas gjykimit të tij, do të kishte bërë mirë që të 
kërkonte lejen e autoriteteve hebreje për të shpërndarë ndihmat. Ndërkohë, 
Ankaraja është duke u marrë me vlerësimin e dëmit. Sulmi izraelit duket se për 
momentin e ka privuar nga roli i
 “ndërmjetësit” për paqen në Lindjen e Mesme, çka i jepte një vlerë shumë të 
madhe Turqisë në sytë e perëndimorëve.

Tani i duhet që të gjejë një dimension të ri. Përplasja me Izraelin mund të 
ketë edhe pasoja ekonomike. Ndërkohë, e ka afruar me vendet arabe dhe duke qenë 
se zemra shpesh rreh pranë portofolave të fryrë, simpatia që ka ngjallur Turqia 
mund të shndërrohet në diçka më konkrete. Në sytë e shumë liderëve arabë, 
qeveria turke ka cilësitë që u mungojnë shumë vendeve të tjera në rajon: ajo 
është një demokraci dhe jo një shtet policor; ka sfiduar Shtetet e Bashkuara 
dhe Izraelin. Por nëse arabët e konsiderojnë Erdoganin si një Nasser të ri, apo 
për një shpatë të re të islamit, me siguri që shumë shpejt do të përballen me 
zhgënjime. Për Turqinë, zgjedhja filoperëndimore dhe filoevropiane është një 
zgjedhje përfundimtare. Dhe kjo është një siguri për luhatjen, por jo 
ndryshimin përfundimtar të situatës. 


 Veprat shpërblehen sipas qëllimit. Hadith 


      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan