Edukata fetare në shkollat
publike
Pas ndryshimeve të mëdha ekonomike,
politike dhe sociale si pasojë e rënies së sistemit monist, pas një periudhe të
errët komuniste prej disa dekadash dhe sidomos me largimin e forcave pushtuese
serbe dhe me Shpalljen e Pavarësisë, në Kosovë janë mundësuar kushtet për një
reformë në realitetin religjioz si dhe për përfshirjen e mësimit fetar në
shkollat publike.
Ajni Sinani
Të gjithë jemi dëshmitarë të krizës morale që ka
përfshirë shoqërinë tonë dhe veçanërisht rininë, krizë e cila sa vjen e shtohet
dita ditës. Shtrohet
pyetja a janë në dijeni edukatorët dhe përgjegjësit tanë rreth rreziqeve që i
kanosen rinisë sonë si pasojë e mungesës së besimit fetar? Njeriu i kulturuar
dhe i qytetëruar ka
luftuar kundër paturpësive dhe devijimeve gjatë
gjithë historisë së tij. Feja është treguar se është
preventiv i suksesshëm kundër dukurive
negative, të tilla si droga, alkooli, prostitucioni, kriminaliteti, vrasja,
vetëvrasja
etj.
Për këtë arsye lënda e edukatës fetare tashmë është pjesë
e planprogrameve shkollore në shumicën e vende evropiane. E njëjta gjë vlen
edhe për vendet e dala nga ish blloku socialist. Shtetet që nuk e kanë futur
besimin fetar në sistemin e tyre arsimor mund të numërohen me gishta. Tek ne
iniciativa që nga paslufta për përfshirjen e mësimbesimit në sistemin tonë
arsimor
ka hasur në veshë të shurdhër, madje është shkuar deri aty sa të vlerësohet si
një iniciativë e verbër. Po ata që e kanë inkorporuar lëndën fetare thuajse në
të gjitha vendet e Evropës, mos vallë kanë përkrahur dhe sendërtuar një
iniciativë
të verbër?!
Kurse atyre që thonë se futja e fesë në shkolla do të
binte ndesh me laicizmin, se
ajo është çështje private e çdo individi dhe se fëmijët, natyrisht, mund të
edukohen në frymën fetare gjë të cilën duhet ta bëjnë institucionet fetare, por
nuk mund të jetë punë e shtetit, ne u kujtojmë se edhe Gjermania dhe shumë
shtete të tjera evropiane janë shtete demokratike laike por në to ekziston
mësimi i fesë në shkollat publike dhe askush nuk e vë në pikëpyetje laicizmin e
tyre.
Po të vlerësohej sipas kësaj mendësie gjenerata
të tëra të rinisë gjermane dhe shumë shteteve të tjera të Evropës do të
privoheshin nga e drejta e mësimit të fesë. Në Austri, krahas të tjerëve
shteti paguan mësimdhënësit muslimanë që punojnë në shkollat publike dhe u
mësojnë fenë islame fëmijëve muslimanë! Megjithatë nuk mund të thuhet se
Austria me këtë ka gabuar apo ka cenuar parimet e shtetit laik.
Greqia që konsiderohet si një shtet demokratik dhe që është anëtare në BE, ka
kishën e saj shtetërore.
Pra në shumicën e shteteve të Evropës feja paraqet qendrën
e sistemit të vlerave, që mëton të bartë te nxënësit në procesin
edukativo-arsimor. Feja ka
rol esencial në edukimin moral të nxënësve dhe mund të ndryshojë karakterin dhe
sjelljen e tyre. Po ashtu, ajo kontribuon në avancimin e vlerave pozitive dhe
zhvillimin
e shpirtit të tyre.
Ata që janë kundër mësimit fetar, mos vallë nuk duan të kemi një rini të
shëndetshme?!
Sepse është e qartë se për sa kohë që do të kishte
arsim fetar në shkollat publike sjelljet e dukuritë e shëmtuara dhe të dëmshme
do të do të ishim shumë më të pakta. Me edukatën fetare nuk humb askush.
Ne nuk duhet të formojmë tek rinia jonë një moral të
dyfishtë, e cila në shtëpi do të kultivonte besimin e vet kurse me ardhjen në
shkollë ta linte atë tek pragu i saj, sepse besimi nuk hiqet sikurse palltoja
tek gardëroba.
Duhet të kujtojmë se demokratizimi i shoqërisë do të thotë ndryshim i
marrëdhënieve mes shtetit dhe fesë dhe, në këtë aspekt, ne duhet të shohim
vendet që janë demokratike. Feja është një lëndë e detyrueshme në shkollat
fillore
dhe të mesme në Austri, Gjermani, Norvegji, Finlandë, Britani e Madhe, Greqi,
Rumani dhe Suedi. Kurse në Republikën Çeke, Belgjik, Sllovaki, Spanjë dhe
Itali, ajo bëhet sipas zgjedhjes.
Prandaj nuk duhet të ketë dilemë rreth asaj nëse duhet të përfshihet feja
ose jo në shkollat publike. Diskutimi dhe vëmendja e jonë duhet të fokusohet
rreth asaj se si duhet të bëhet dhe në cilën formë? Pra, ajo të jetë e
obligueshme apo fakultative?
Nëse shumica dëshiron të ndjekë edukimin fetar në shkollat publike, pse të
mos e bëj këtë Qeveria? Kjo është një nga të drejtat themelore të njeriut dhe
sistemi aktual i mësimdhënies në të cilën nuk ka fe, përbën shkelje të të
drejtave të besimtarëve.
Duke u mbështetur në konventat ndërkombëtare rreth të
drejtës së shprehjes dhe edukimit fetar si një nga të drejtat themelore të
njeriut mund të konstatojmë se në shkollat tona kjo e
drejtë është e kufizuar.
Bashkësia Islame e Kosovës që përfaqëson interesat e
popullatës shumicë me përkatësi muslimane, duke artikuluar dëshirën e qindra
mijëra prindërve dhe nxënësve,
me plotë të drejtë kërkon që lënda e edukatës
fetare të inkorporohet sa më parë në sistemin tonë shkollor. Këtë e kërkon edhe
Partia e Drejtësisë.
Kisha Katolike nuk është për futjen e edukatës fetare në
shkollat publike. Kurse Kisha Ortodokse Serbe në Kosovë gëzon trajtim të veçantë
sipas Pakos së Ahtisarit.
Ka zëra që thonë se me mësimbesimin do të favorizohej një fe kundrejt të
tjerave, por kjo nuk është e vërtetë sepse secili do të mësonte fenë e tij.
Meqenëse edukata
fetare do të jetë për të gjithë nuk kemi arsye të besojmë se ajo do të
inkurajonte konflikte fetare, sepse nëse ne jemi besimtarë të mirë do të dimë
të respektojmë më shumë fenë e njëri-tjetrit. Prandaj shteti duhet ta fusë sa
më parë mësimin fetar në shkollat shtetërore. Në Serbi dhe Kroaci përkrah fesë
së shumicës mësohet edhe feja muslimane.
Qeveria e Kosovës duhet të përgatisë një ligj të ri mbi marrëdhëniet
ndërmjet bashkësive fetare. Se si do të definohen marrëdhëniet midis shtetit
dhe bashkësive fetare, e veçanërisht me BIK-un, nuk ka ndonjë praktikë ligjore
universale.
Në Itali, për shembull, një ligj rregullon marrëdhëniet mes shtetit dhe
kishës katolike, kurse parasheh marrëdhënie të tjera me komunitetet e tjera
fetare.
Shteti duhet të mbështesë të gjithë nënshtetasit e tij besimtarë për të
mësuar fenë e tyre. E drejta e ushtrimit të fesë është ajo që duhet të jetë
publike. Prandaj qeveria duhet ta mundësojë këtë gjë. Në të kundërtën njerëzit
besimtarë
do të duhej të tërhiqeshin apo të mbylleshin në qoshe dhe skuta të izoluara që
të ushtronin besimin e tyre.
Programet edukative janë thjesht mjete, dhe nuk janë qëllim në vetvete, dhe
nëse qëllimi humb në një popull, nuk ka asnjë mënyrë sado e përkryer të jetë që
mund ta zgjojë dhe të mundësojë ringjalljen e tij.
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur