Bankat islamike evropiane
 
http://www.zeri.info/artikulli/3/21/8672/bankat-islamike-evropiane/#komentet
Kriza e fundit që përfshiu ekonominë botërore ka ndikuar të bëhen ndryshime të 
mëdha në sistemin ekzistues bankar i cili ishte shkaktari i recesionit. Në 
mënyrë serioze, ekspertët financiarë sugjeruan që gjatë ndryshimeve të ardhshme 
të sistemit bankar perëndimor të shqyrtohen dhe adaptohen disa segmente të 
bankave islamike. Bankat islamike, për shkak të ndërtimit dhe funksionimit të 
tyre të veçantë, nuk e përjetojnë asnjëherë krizën e cila vazhdimisht i 
kërcënohet sistemit bankar perëndimor. Për shkak të mosekzistimit të kamatave, 
bankat islamike nuk janë kurrë në rrezik të falimentimit. Natyrisht që i tërë 
sistemi bankar islamik nuk është i mundshëm të aplikohet në sistemin modern 
bankar perëndimor për arsye të shumta.
Megjithatë, ka kohë që në Evropë, SHBA dhe gjetiu në Perëndim, disa banka, 
tërësisht ose pjesërisht, funksionojnë mbi sistemin islamik të ndërtuara nga 
ligjet e sheriatit. Në fillim të viteve të 90-ta, në Britani të Madhe u bë me 
dije ekzistimi i këtyre bankave. Për shkak të rëndësisë financiare që ka Londra 
në sistemin global ekonomik dhe financiar, këto banka filluan të funksionojnë 
në kryeqytetin britanik i cili është edhe kryeqyteti botëror financiar. Në 
vitin 1993, gazeta e fuqishme “The Finacial Times”, bëri me dije se disa banka 
perëndimore kanë zënë vend të rëndësishëm në këtë fushë duke u angazhuar në 
tregun financiar në aspektin e transaksioneve financiare islamike të cilat 
kryesisht janë angazhuar në blerjen e aeroplanëve dhe anijeve. Doli në shesh që 
bankat e mëdha, siç janë Kleinwort Benson, ANZ Grindlays dhe Citibank, zbatojnë 
mënyrën e kostos dhe të financimit por edhe
 aspektet e transaksioneve me të madhe. Këto banka të rëndësishme në ekonominë 
e botës, brenda vetes, kanë themeluar njësi të specializuara islamike. 
Këto njësi veprojnë në mënyrë të ndarë nga sistemi i përgjithshëm bankar duke e 
zgjuar një interesim të madh në financimin tregtar që ka të bëjë me 
transaksionet e mallrave siç është nafta, prodhimet tjera petrokemikale, 
prodhimet bujqësore, shitblerjen e aeroplanëve, tankerëve dhe mjeteve tjera për 
prodhim.
Këto banka, gjatë dy decenieve të fundit, kanë funksionuar mbi sistemin e 
ligjeve të sheriatit pa ndonjë problem. Madje, për shkak të fitimeve serioze 
financiare, aktiviteti i tyre edhe sot është në rritje. Brenda tyre funksionon 
edhe një numër i madh i ekspertëve të ekonomisë dhe atyre juridik që bëjnë 
interpretimin e të drejtës islamike (sheriatit) dhe sugjerojnë zbatimin e 
normave të këtij sistemi juridik. Madje, Kleinwort Benson ka paralajmëruar se 
është duke u përgatitur që të zgjerohet në mënyrë të konsiderueshme në 
zhvillimin e tregtisë financiare dhe në akomodimin e transaksioneve në lidhje 
me prodhimet e tjera. Disa njësi të këtyre bankave janë duke hulumtuar
mundësitë e formimit të tregut islamik për mallra. Udhëheqësit e këtyre bankave 
kanë deklaruar se tregu islamik i mallrave dhe sistemi interbankar do të 
mundësonte zhvillim të madh të mënyrave të investimeve bankare afatmesme dhe 
afatgjata. 
Përfshirja e këtyre bankave perëndimore në sistemin bankar islamik daton që nga 
vitet e 70-ta të cilat ishin vitet kur filloi të lulëzojë tregtia e naftës e të 
cilat vite ndryshe quhen edhe lulëzimi i viteve të “petro-dollarit”. 
Transaksioni i parë i kësaj natyre u bë nga Kleinwort Benson në vitin 1982. 
Kleinwort Benson është një bankë e themeluar fuqishëm që moti në marrëdhënie 
tregtare dhe e lidhur ngushtë me familjet e mëdha tregtare, kryesisht arabe, në 
Lindjen e Mesme. Pra, klienti i kësaj banke është i bazuar kryesisht në vendet 
e Gjirit Persik, por kjo bankë për klientët e saj është angazhuar edhe në Azi, 
Afrikë Veriore sikur edhe në të gjitha vendet e industrializuara perëndimore. 
ANZ Grindlays është një bankë perëndimore (britanike) tjetër e cila me 
shpejtësi të madhe është duke u bërë faktori kryesor në sistemin bankar të 
Pakistanit. Një bankë tjetër islamike, Al-Rajhi Investment and Banking 
Corporation, është e angazhuar në aranzhimet e dhënies me qira të aeroplanëve 
klientëve jomyslimanë. Një bankë e këtillë është edhe Gatehouse Bank.
Në vitin 1997, në Britani të Madhe, shumë banka të këtij shteti kanë lansuar 
sistemin e hipotekave që funksionojnë mbi parimet e sheriatit. Kjo ndodhi pas 
lajmërimit të United Bank of Kuwait PLC, e cila kishte vendosur që myslimanëve 
t’u ofronte kredi (natyrisht, pa kamatë) për të blerë shtëpi. Pastaj, bankat 
kryesore britanike kanë nxituar që myslimanëve t’u ofrojnë shërbime bankare të 
rregulluara sipas sheriatit. Lloyds dhe NatWest kanë themeluar njësi të veçanta 
brenda vetes për të ofruar shërbime të këtij lloji për myslimanët britanikë dhe 
ata jobritanikë. Një veprimtari e këtillë është dëshmuar si tejet profitabile 
për bankat pasi që klientët refuzojnë t’i marrin kamatat. 
Së voni, nga momentet e daljes nga recesioni, këto elemente pozitive të 
sistemit bankar islamik janë lavdëruar para publikut apo klientëve bankarë në 
Perëndim. Reuters ka raportuar se kriza e fundit është zbutur nga shuma prej 1 
bilion dollarësh që ka prezantuar sistemi bankar islamik në industri dhe në 
tregun financiar të Perëndimit. 
Derisa bankat konvencionale perëndimore janë duke i shëruar plagët e humbjeve 
që arrijnë shifrën 400 miliardë dollarë, bankat islamike, apo ato që 
funksionojnë duke i zbatuar disa nga parimet islamike, kanë mbetur të paprekur 
nga kriza. 
Natyrisht që në Perëndim nuk është e mundur që në tërësi të zbatohet sistemi 
bankar islamik, por ekspertët e kësaj fushe kanë rekomanduar për aplikim të 
disa nga këto parime që do të përmirësonin kushtet e tanishme në tregun global 
financiar. 


      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan