Sekularizmi, laicizmi dhe shteti i Kosovës
Abdullah Rexhepi
Përvoja e dekadave të fundit dëshmoi se
shoqëria shqiptare nuk qe e suksesshme në shkrirjen e ideologjive dhe
doktrinave të importuara nga jashtë. Kur i hedhim një vështrim të kaluarës sonë
në shekullin e kaluar, vërejmë se inteligjencia shqiptare në të shumtën e
rasteve ka pranuar ideologji dhe mendime nga të tjerët dhe është munduar t’i
injektojë ato në shoqëri, pa i studiuar mirë dhe pa bërë as përshtatjen më të
vogël me traditat e vendit. Ky dorëzim absolut përballë shablloneve të
importuara, për mendimin tim, ose ishte si pasoj e mosnjohjes së realiteteve të
shoqërisë shqiptare, ose mos pranimi dhe refuzimi i këtyre realiteteve. Një gjë
të këtillë shoqëria shqiptare e përjetoi me marksist-leninizmin, ku në Shqipëri
rezultoi me një regjim diktatorial, kurse në Kosovë patëm vetëm një përkthim të
komunizmit jugosllav. Aktualisht po ndodhë e njëjta gjë edhe me liberal –
demokracinë,
sekularizimin dhe laicizmin. Nëse një
ideologji ka patur sukses në një vend tjetër të botës, intelektualët tanë, pa
menduar fare për rrethanat dhe shkaqet e lindjes së asaj ideologjie në atë
vend, janë përpjekur të njëjtën t’ia imponojnë edhe shoqërisë shqiptare. Ky
realitet bëhet edhe më i hidhur kur kuptojmë se këta intelektualë u janë
nënshtruar e po i nënshtrohen vetëm ideologjive, të cilat për momentin kanë një
pozitë sunduese në botë. Tani kemi shumë intelektualë të cilët deri dje me
këmbëngulje kanë mbrojtur marksizmin – leninizmin, kurse sot të njëjtit po me
atë radikalizëm shtirren si liberal-demokratë, dhe nga goja nuk heqin
terminologjinë e kësaj ideologjie. Mos njohja e traditës, kulturës dhe fesë së
shqiptarëve nga inteligjencia shqiptare apo injorimi i tyre, sidomos fesë,
rezultoi me pasoja shumë të rënda, të cilat po na traumatizojnë edhe sot e
kësaj dite. Mendimtarët
shqiptarë jo vetëm që nuk kanë studiuar dhe
njohur (nuk po them të kenë besuar) fenë islame, por atë e kanë prezantuar si
diçka të huaj, madje në shumë raste edhe si fe të armikut. Prandaj dhe duke u
bazuar në këtë realitet mund të konkludojmë se inteligjencia jonë nuk ishte e
njohur me faktorët kryesorë që përbënin shoqërinë shqiptare dhe ky ishte shkaku
kryesor pse ideologjitë e huaja nuk arritën të përshtateshin me popullin
shqiptar dhe pse ky popull qe viktimë e shekullit 20. Intelektualët shqiptarë u
mjaftuan vetëm të jenë përkthyes të ideologjive dhe doktrinave të huaja. E
njëjta po vazhdon edhe sot.
Në shoqërinë tonë gjithashtu mungon debati i
mirëfilltë publik në lidhje me problemet dhe fenomenet që preokupojnë
qytetarët. Disa persona të caktuar atje lartëmarrin vendime dhe miratojnë
ligje, pa u konsultuar fare me shoqërinë civile, e cila përfiton apo pëson nga
ato vendime dhe ligje. Ky është një mentalitet i pastër i Jakobinëve. Jakobini
i lejon vetes të përcaktojë ‘atë që do dhe ka nevojë’ masa. Por nëse masës nuk
i pëlqen apo ajo reagon ndaj ‘mendimeve dhe vendimeve të drejta’ të Jakobinëve,
ata refuzojnë masën, madje mund të përdorin edhe forcën kundër saj. Sipas një
mentaliteti të këtillë, ta bësh popullin të lumtur, domethënë ke
tradhtuar qëllimet dhe idealet.
Në shumë vende lexova se udhëzimi
administrativ i Ministrisë së Arsimit të Kosovës, me të cilin nxënësve të
shkollave të mesme dhe të larta u ndalohet bartja e 'uniformës fetare' në
objektet e institucioneve arsimore, u perceptua si ruajtje e laicizmit të
Kosovës. Disa të tjerë nga mos dija, në vend të laicizmit, thanë se Enver
Hoxhaj, ministri i arsimit po mbron shekullarizimin e shtetit. Kurse disa të
tjerë këtë akt të ministrisë e kishin nuhatur si mbrojtje të demokracisë, pra,
të shumicës së qytetarëve të Kosovës kundrejt një pakice. Andaj mendoj se
do të ishte mirë të hidhet më shumë dritë mbi atë se ç’është sekularizimi dhe
laicizmi.
Evropa në mesjetë u përballë me luftëra të
përgjakshme fetare. Kur kisha despotike po digjte dhe vriste çdo kënd që nuk iu
nënshtrohej mësimeve dhe predikimeve të saj, lindën reformatorë si Luther dhe
Calvin, të cilët kërkuan marrjen e pushtetit nga dora e klerit katolik. Prandaj
dhe protestantët bashkë me intelektualët iluministë në këto rrethana
këmbëngulën në pavarësimin e shtetit nga kisha. Evropianët për të shpëtuar nga
despotizmi i klerit katolik u detyruan të kthehen në mendimin dhe filozofinë e
Greqisë së lashtë.
Në vazhdim për të sqaruar më mirë apo
përshtatur rrethanat e fundit të krijuara me rastin e nxjerrjes së Udhëzimit
Administrativ nga ana e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Kosovës, do t’i
paraqes disa koncepte mbi teoritë e sekularizmit dhe laicizmit.
Sekularizmi: Sekularizmi është ndër diskurset
më të nxehta të periudhës moderne në Evropë i cili më së shumti është trajtuar
në rrafshet si teologji (krishtere) politike, filozofi, sociologji dhe në
historinë e mendimit. Fjala sekularizëm (lat. Saeculum, fr. Siecle) ka kuptimin
e shekullit, periudhës njëqind vjeçare. Pra me sekularizmin (shekullarizim)
kuptojmë përshtatje me shekullin dhe me kohën në të cilën jemi duke jetuar, pra
me këtë botë apo adaptim me kohën aktuale dhe me këtë dynja. Për shekullarizimin
u fillua të flitet në periudhën e Rilindjes Evropiane nga lëvizja e
‘reformimit’ të fesë dhe ‘protestës’ ndaj Kishës Romake, dmth. rrënjët e kësaj
mund t’i gjejmë në iluminizmin modern. Rol të madh në daljen në pah të
shekullarizimit ka luajtur Martin Luther dhe protestantizmi, kurse modeli dhe
qendra e shekullarizimit ishte Gjermania, ku më pas u plasua edhe në Francë,
Spanjë, Angli,
madje
edhe në Rusi. Termi sekularizëm përdoret në koncepte të ndryshme në teologjinë
krishtere, filozofi, sociologji dhe politikë.
Sekularizmi teologjik (krishter)
Sekularizmi në teologjinë krishtere nënkupton
ndryshimin apo reformimin e marrëdhënieve të fesë me këtë botë. Reformimi i
qasjes fetare (kishtare) ndaj çështjeve shoqërore, shtetërore apo në
përgjithësi ndaj udhëheqjes së shtetit, gjithnjë duke patur parasysh nevojat
dhe kërkesat e kësaj bote. Kuptimi tjetër është procesi i braktisjes së postit
dhe përgjegjësive të kishës nga pjesëtarët e emërimit të krishterë dhe kthimin
e tyre në shekull, në jetën tokësore, jo të shenjtë. Pra këtu kemi
sekularizimin e një fenomeni që konsiderohet i shenjtë. Një kuptim tjetër i
sekularizimit është edhe transferimi apo shitja e pronave të kishës. Kështu që
prona e Kishës së Zotit i dhurohet kësaj bote, shekullit. Si shembull mund të
paraqesim shitjen e pronave të kishës katolike princërve gjermanë në shekujt 18
dhe 19, të cilët ishin konvertuar në protestantë. Gjithashtu kemi edhe
shndërrimin e objekteve
te
Kishës dhe vet kishave në shkolla dhe spitale. Thënë me një fjalë, reformimi i
teologjisë e cila beson dhe respekton pavarësinë e shtetit nga diktati i fesë
dhe klerit. Në Evropën perëndimore një reformim i tillë se pari është hasur te
protestantët, kurse kisha katolike shumë vonë i bashkohet procesit të
sekularizimit. Këtu duhet theksuar se islami është një fe e kësaj bote dhe
botës tjetër dhe asnjëherë nuk është ndjerë nevoja e sekularizimit të kësaj
feje. Islami është fe edhe e shekullit edhe e botës tjetër.
Sekularizimi filozofik
Në retorikën e racionalizmit të inspiruar nga
iluminizmi evropian, sekularizmi nënkuptohet si ‘largim nga magjia’ (Max
Weber), ‘pjekuria e njeriut’ (Immanuel Kant) dhe 'botëkuptimi i tokësores' së
(Friedrich Hegel). Thënë ndryshe me sekularizimin filozofik perceptohet lirimi
i njeriut nga çdo varësi e preokupim i fesë, magjisë dhe besëtytnisë apo
shporrje e çdo gjëje që krijon dhimbje dhe ankth. Këtu kritikohet feja dhe
diktati i kishës gjithnjë duke u mbështetur në racionalizëm dhe shkencë, me
qëllim të përmirësimit të gjendjes së destabilizuar të botës. Sekularizmi
filozofik i bazuar në racionalizëm të plotë është mohues i fesë, i botës tjetër
dhe i çdo ndjenje shpirtërore që buron nga feja. Unë si musliman nuk mund ta
pranoj një sekularizëm të tillë filozofik, sepse me këtë kuptoj tëhuajsimin e
vetëdijshëm të fesë nga jeta e përditshme e njeriut. Është e vërtetë kur thonë
disa se
sekularizmi nuk është kundër fesë, për arsye
se ky lloj sekularizëm zë vendin e fesë dhe është një rival i pashpirt i
fesë. Sot në perëndim ky lloj sekularizimi është më i diskutueshëm nga të
tjerët, madje shumë teologë të krishterë e mohojnë atë. Ata janë të mendimit se
sekularizmi filozofik ka ndikuar që shoqëria evropiane të distancohet nga feja.
Sekularizmi socio-politik
Me këtë sekularizëm nënkuptojmë procesin e
ndryshimit gradual dhe koordinimin e fesë (organit të kishës) shtetit dhe
shoqërisë civile për realizimin e kërkesave dhe nevojave të kohës. Këtu nuk
kemi ndarje të shtetit dhe politikës nga feja, por dhënien fund të pushtetit të
klerit. Një sekularizëm të tillë mund ta hasim në shtetet me shumicë
protestante. Në vendet si Britani dhe Danimarkë sot kemi fe zyrtare.
Mbretëresha e Britanisë si kryesuese e shtetit është edhe kryetare e Kishës
Anglicane. I njëjti realitet ekziston edhe në Danimarkë, ku sekti i Luterit
ndodhet nën udhëheqjen e mbretërisë.
Laicizmi: Fjala laicizëm (lat. Laikos apo
Laicus, fr. Laic apo Laique) domethënë ajo që i përket popullit, që rrjedh nga
populli, gjë e përbashkët apo e përgjithshme, jashtë organeve zyrtare dhe
administrative, jo qeveritare, civile (jo ushtarake), etj.. Për herë të parë
fjala laicitet në konotacionin e ‘mos ndërhyrjes së shtetit në punët e fesë dhe
kishës’, ‘ndarjes së shtetit nga feja dhe kisha’ dhe ‘siguria e lirive fetare
të qytetarëve’ është përdorur në Francë (pas vitit 1870), në kuadër të
aktiviteteve civile, politike dhe parlamentare. Premisat e laicizmit në
përgjithësi mund t’i përkufizojmë si më poshtë:
-
Laicizmi liron njeriun fuqia, organet kompetente të shoqërisë nuk i lejon të
ushtrojnë dhunë ndaj njeri tjetrit dhe siguroni bashkëpunimin e plotë të këtyre
organeve në të mirë të qytetarëve dhe vendit.
-
Në laicizëm detyra e shtetit është vendosja e tolerancës, bashkëjetesës dhe
miqësisë në mes besimeve fetare dhe jo fetare.
-
Laicizmi synon eliminimin e plotë të çfarëdo dhune.
-
Laicizmi ndalon diskriminimin fetar, etnik dhe gjinor dhe diskriminimet
mbizotëruese në marrëdhëniet midis institucioneve të shoqërisë. Ai siguron
barazinë ndaj ligjit, barazinë në arsim, në punësim dhe në shprehjen e bindjeve
fetare, kombëtare, kulturore, etj..
-
Laicizmi transparon qarqet politike, ekonomike, sociale dhe kulturore të
shoqërisë dhe aktivitetet në këto rrafshe.
-
Laicizmi nuk përkrahë asnjë fe, komb apo parti politike dhe as nuk ndalon
manifestimin e tyre në shoqëri.
Pra laicizmi është një proces socio-politik që
rregullon lidhjet mes shtetit dhe institucionit të fesë si dy organe të
pavarura nga njëri tjetri dhe përballë këtyre mbron lirinë e manifestimit të
bindjeve të qytetarit.
Në shumë raste haset në ngatërrimin e
sekularizimit me laicizmin, ku në vend të laicizmit përdoret sekularizmi dhe
anasjelltas. Në të shumtën e rasteve me sekularizëm kuptohet ndarja e shtetit
nga feja, por në realitet, në sekularizëm kemi të bëjmë më shumë me shtetin,
shoqërinë civile dhe institucionin e fesë, të cilat në bashkëpunim të plotë dhe
duke ndihmuar njëra tjetrën ecin drejt reformimit, ndryshimit, modernizimit apo
dhënë shkurtë drejt përshtatjes me shekullin. Një botëkuptim të këtillë të
sekularizmit politik e kemi në Angli, Amerikë, Danimarkë, shtete me shumicë
protestante. (American Theocracy, Kevin Phillips, Viking Penguin, 2006) Kurse
laicizmi, veçanërisht ai francez, nënkupton ndarjen e shtetit nga organi i
fesë, por jo edhe fenë nga politika dhe shoqëria. Të mos harrojmë se kemi parti
të mëdha krishtere në Evropë të cilat janë nën influencën e kishave. Por me
laicizëm ndalohet
të ketë
'fe shtetërore' dhe 'shtet fetar'. Prandaj mund të thuhet se laicizmi i vërtetë
arriti të instalohet i plotë vetëm në Francë, kurse vet 'logjika e laicizmit'
depërtoi në shtetet katolike të Evropës perëndimore si Belgjikë, Spanjë,
Portugali dhe në Itali. (The Rise and Decline of Western Liberalism, Anthony
Arblaster) Një laicizëm radikal francez i periudhës së kryeministrit Emile
Combes e huazoi themeluesi i Turqisë moderne, Kemal Ataturku. Më pastaj,
megjithëse francezët rishikuan laicizmin e tyre, por në Turqi kjo është u
shndërrua në ideologji për të shtypur besimtarët muslimanë.
Gjykoj se laicizmi francez është militant dhe
nuk duhet huazuar si mostër për shtetin e Kosovës. Në kohën kur Franca kishte
një popullsi relativisht të pastër me francezë autoktonë dhe nuk ndjente rrezik
nga kulturat, fetë dhe identitet tjera, me laicizmin e saj kërkonte që vetëm
shteti dhe shkolla të jenë të pavarura, por me rritjen e numrit të muslimanëve
në këtë shtet, laicizmi francez kaloi në militantizëm dhe tani kërkoi edhe
nxënësi të jetë i pavarur në bindjet e tij fetare. Për atë dhe institucionet e
Kosovës sa herë që huazojnë dhe zbatojnë ndonjë standard nga ndonjë vend tjetër
do të ishte mirë që të kenë parasysh popullin e saj në rend të parë, sepse
shteti duhet të sigurojë lumturinë dhe mirëqenien e tij e jo për hir të një
trendi ndërkombëtar të shkelë të drejtat e qytetarëve. Të jeni të sigurt se
madje asnjë besimtar mysliman nuk pretendon rrëzimin e sistemit laik të
Republikës së Kosovës. Por ata duan të
respektohen sikur çdo qytetar tjetër i rëndomtë i këtij vendi. Për atë dhe në
qoftë se hoxhallarët dhe Bashkësia Islame e Kosovës thonë se shamia është parim
i fesë dhe jo simbol, atëherë funksionarët e MASHT, pa u prononcuar se çka
është simbol e çka parim në fenë islame, duhet të tërheqin këtë udhëzim të
pakuptimtë administrativ.
_________________________________________________________________
Hotmail is redefining busy with tools for the New Busy. Get more from your
inbox.
http://www.windowslive.com/campaign/thenewbusy?ocid=PID28326::T:WLMTAGL:ON:WL:en-US:WM_HMP:042010_2
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur