Si duhet të jetë muslimani
“Thuaj: ‘Me të vërtetë, Zoti im më ka
udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, në fenë e pastër të Ibrahimit
besimplotë, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve” (El En’am: 161).
Ajni Sinani
Në kontekstin leksikologjik fjala arabe “Islam” do
të thotë nënshtrim dhe bindje. Kuptimi terminologjik i fjalës e definon
Islamin si: të dorëzuarit Zotit Një e absolut dhe të bindurit ligjit të Tij,
duke iu shmangur politeizmit apo çfarëdo adhurimi të kotë. Kjo do të thotë se
muslimani nuk e përul kokën para askujt përveç para Zotit dhe askënd dhe asgjë
nuk e konsideron rival apo ta barabartë me Të. Besimtari nuk lejohet që të jetë
i varur apo të bëhet rob i epshit, pasionit, lakmisë ose çfarëdo idhulli apo
krijese. Feja që kanë marrë prej Zotit të gjithë pejgamberët dhe u kanë kumtuar
njerëzve është e feja e njëjtë – Islami: “Feja e pranueshme tek Allahu është
Islami” (Ali Imran: 19)
Përkatësia islame është atribut, që do të thotë se
çdo njeri, pa marrë parasysh se cilit popull, race apo vendi i përket, nëse e
ka këtë atribut është pjesë e umetit musliman.
Të shprehurit e përkatësisë islame bëhet përmes dëshmisë: “Nuk ka zot
tjetër përveç Allahut, Muhammedi është rob dhe pejgamber i Tij”. Kjo dëshmi
është fjalëkalimi për në
Islam dhe çelësi i xhenetit. Përmes saj muslimani pohon se e pranon vetëm
Allahun për Zot, formësues, furnizues, udhëzues, programues të jetës,
përcaktues të vdekjes dhe udhëheqës së jetës së tij. Kjo e dallon muslimanin
nga të tjerët. Kur’ani na tregon se i pari që e përdori termin musliman ishte
Ibrahimi a.s.: “Ai ju ka zgjedhur dhe nuk ju ka vënë asnjë barrë në fenë
tuaj, fenë e babait tuaj, Ibrahimit. Ai ju ka quajtur juve muslimanë qysh më
parë...” (El Haxhxh: 78).
Islami përbehet prej akides dhe sheriatit. Akidja
përfshin çështjet besimore, kurse sheriati përfshin veprat e njeriut. Në një
nga ajetet e tij, Kur’ani bën dallimin ndërmjet
besimtarit/mu’minit dhe muslimanit: “Beduinët thanë:
‘Ne kemi besuar!’ Thuaj: ‘ju nuk keni besuar ende, por thoni: ne jemi dorëzuar,
pasi besimi ende nuk ka hyrë në zemrat tuaja...” (El Huxhurat: 14).
Besimtar (mu’min) është ai që beson fuqishëm
njëshmërinë e Zotit, engjëjt, librat, pejgamberët, paracaktimin dhe
ringjalljen. Kurse, musliman është ai që i përmbahet kushteve të Islamit: që
dëshmon se nuk ka zot pos All-llahut dhe se Muhammedi është i dërguar i Zotit,
që fal namazin, agjëron ramazanin, jep zeqatin dhe kryen haxhin.
Prandaj, sa do të ishte i plotë besimi nëse ai nuk
do të manifestohej në përditshmërinë e njerëzve? Apo sa do të kishte vlerë të
njëmendtë një vepër që nuk bëhet në emër të Zotit?!. Mu për këtë, në shume
vende imani dhe vepra e mirë përmenden në Kur’an përkrah njëri-tjetrit: “ata që
besojnë dhe bëjnë punë të mira”. Si rrjedhim, besimi dhe nënshtrimi ndaj Zotit
janë të lidhur mes tyre si
puna e pemës dhe farës. Ashtu sikurse që nuk mund të mbijë dhe të rritet druri
pa farë, ashtu nuk mund të kemi islam pa besim (iman).
Besimi në rend të parë është çështje e zemrës, e
ndijimit dhe bindjes. Por feja e Allahut nuk është vetëm besim (iman- akide),
prandaj shqiptimi i dëshmisë (shehadetit) duhet të shkojë përtej deklarimit
verbal të përkatësisë islame, duke reflektuar në aspektin fetar, shoqëror dhe
shpirtëror të besimtarit. Sepse, Zoti kërkon që imani të manifestohet dhe
përditësohet përmes dispozitave islame, duke vepruar në harmoni me to,
përndryshe besimi do të ishte si pema pa fruta. Pejgamberi a..s thotë: “Imanin
nuk e përbëjnë dëshirat e bukura dhe as pispillosja, por atë e përbën ajo që fle
në zemër dhe që vërtetohet me vepër”.
Kjo, ngase adhurimi në
Islam ka kuptim gjithëpërfshirës dhe ai ngërthen çdo aktivitet të njeriut që
bëhet në emër të Zotit dhe për të mirën e shoqërisë. Muslimani nuk i ndan punët
e kësaj bote nga bota tjetër sepse dynjaja dhe ahireti nuk janë dy realitete të
ndara. Madje, çdo vepër jo vetëm që ka pasojat e saj në këtë botë, por
gjithashtu bërësi i saj do të merret në llogari në botën tjetër.
Për rrjedhojë, Islami ynë nuk është i mjaftueshëm
nëse reduktohet vetëm në të lindurit tanë nga prindër musliman dhe të rriturit
mes muslimanëve. Njeriu edhe pse lind si musliman dhe në një familje muslimane
nëse nuk e pranon ekzistencën e Zotit nuk mund të jetë musliman. Që muslimani
ta bart me krenari dhe të jetë i denjë për përkatësinë e tij fetare kërkohet që
veprat e tij të jenë në përputhje me ligjin e Zotit. Muslimani
i mirë nuk mund të jetë vetëm me qëllime të mira, pa i shoqëruar ato me vepra
të mira.
Njeriu konsiderohet musliman i plotë kur ai i
praktikon dhe i jetëson mësimet islame në botën reale, sepse Islami është një
sistem hyjnor për jetën njerëzore. Shpirti, zemra, vetëdija, imagjinata,
meditimi, mendimi, adhurimi, veprimet, pasuria, trupi, çdo frymëmarrje, madje
çdo atom dhe qelizë e besimtarit duhet t’i përkushtohet Zotit absolut: “Thuaj në
të vërtetë, namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime, i përkasin vetëm
Allahut, Zotit të botëve.”
(El En’am: 162). Pra, e gjithë jeta duhet të jetë adhurim, përndryshe sa do të
ishte adhurimi nëse reduktohet vetëm në disa momente të caktuara, përballë
shpërblimit në botën e amshueshme?
Secili besimtar/mumin duhet të ndiejë se çdo gjë
që ekziston, që nga thërrmijat më të imta e deri tek yjet, galaktikat e
panumërta dhe i gjithë universi, është manifestim i fuqisë së Allahut, ashtu
sikurse shprehet Ebu Bekër Sidiku: “Para çdo gjëje shoh Allahun, në çdo gjë
shoh Allahun dhe pas çdo gjëje shoh Allahun”.
Vetëm kështu zemra e muslimanit mumin mund të jetë
në paqe dhe qetësi, sepse ai e adhuron Atë që e adhuron e tërë gjithësia. “...
Atij i
përulen të gjithë që gjenden në qiej dhe në tokë...” (Ali Imran: 83). Duke
vepruar brenda sistemit
hyjnor njeriu është i denjë të jetë mëkëmbës i Zotit mbi tokë.
Zoti ka bërë që ndikimi
dhe influenca e mësimeve islame të jetë rezultat i përpjekjeve të muslimanit
për një gjë të tillë: “Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë,
ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Esh Shems:
9-10). Pra, Islami, duke qenë
se është i shpallur nga Zoti, nuk ndikon vetvetiu: “Me të vërtetë,
Allahu nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë ç’kanë
në vetvete.” (Er R’ad: 11). Kjo lë të kuptohet se natyrës njerëzore i
është mundësuar të veprojë në mënyrë permanente dhe të mos jetë e përjashtuar
nga aksioni dhe veprimi.
Muslimani duhet të punojë që të japë kontributin e
tij që të ruhet Islami në hapësirën ku ai jeton dhe vepron dhe duhet t’iu
mundësojë muslimanëve të tjerë të njohin fenë e tyre. Ai duhet të jetë ashtu si
merimanga që thuri rrjetin e saj për ta mbrojtur të Dërguarin e Zotit, një
rrjetë dije dhe drite që ta mbrojë bashkësinë muslimane nga armiqtë e saj.
Prandaj,
kërkohet që muslimanët ta njohin sa më shumë fenë e tyre, sepse sa më thellë që
e njohin atë, aq më shumë do ta shtojnë bindjen e tyre, duke i përulur kokat e
tyre në sexhde në shenjë falënderimi ndaj Krijuesit.
Të pajisur me forcën e moralit dhe të shpirtit,
muslimanët e parë arritën që për gjysmëshekulli të merrnin gjysmën e botës,
duke qëndruar shumë lart në aspektin shkencor, politik dhe kulturor ndaj të
gjithë popujve të botës. Ata bënë përparime të papara në të gjitha fushat e
veprimtarisë njerëzore. Të nxitur nga ajete të shumta kur’anore që nxisin për
lexim, kërkim, meditim, soditje, punë intelektuale dhe marrjen me shkencë,
muslimanët i dhanë një kontribut të pallogaritshëm njerëzimit. Islami solli një
revolucion kulturor të pashembullt. Nga një popull i pashkolluar dhe beduin
dolën sahabet, gjenerata më e mirë e gjithë gjinisë njerëzore, prej të cilëve
dolën udhëheqësit e mëdhenj që qeverisën një pjesë të madhe të botës. Ata në
luftë ishin luanë të vërtetë kurse në raportet mes tyre ishin vëllezër dhe
njerëz të urtë.
Drita që shkëlqeu në Mekë, për pak kohë, filloi të
ndriçojë kudo. Spanja muslimane arriti një shkallë të tillë të zhvillimit
kulturor që nuk e kishte arritur as më parë e as më pas. Nxitësi kryesor për
Evropën që të jepej pas shkencës ishte Spanja islame. Ndërkaq, kur muslimanët u
larguan nga disiplina dhe rendi islam, nga dija dhe shkenca, ata nga sundues të
botës u bënë të paaftë të sundojnë madje edhe veten e tyre.
Zbehja e ndikimit të fesë islame në praktikën e
besimtarëve ka rezultuar vazhdimisht me degradim. Çdo përparim i muslimanëve
fillon me afirmimin e mësimeve kur’anore. Ka shekuj e
shekuj që bota islame po jeton në dekadencë! Pse sot pothuajse asgjë nga bota
islame nuk mund të matet me kërkimin shkencor në Perëndim? A mundet që pa
shkencë, njeriu të plotësojë amanetin
që e refuzuan qiejt dhe toka? A mundet që pa dije fetare e shkencore njeriu të
bëhet mëkëmbës në tokë?
Prandaj, është imperativ fetar që muslimanët t’i
kthehen me forcë dijes fetare dhe shkencore, sepse muslimani i mirë është edhe
besimtar edhe shkencëtar i mirë. Pikërisht për këtë ne duhet të marrim nga të
tjerët arritjet shkencore dhe teknologjike, por duhet t’i flakim tutje të
gjitha idetë që janë të huaja për mendimin islam dhe të kultivojmë me besnikëri
konceptin tonë për botën, duke ruajtur traditën dhe thesarin tonë shpirtëror.
Ka muslimanë që për të qenë trendi dhe të
“pranuar” nga të tjerët tregohen indiferentë ndaj fesë së tyre. Prej njerëzve
të tillë nuk ka dobi vendi. Ka disa në mesin e muslimanëve të cilët mbase do të
dëshironin një zhvillim tjetër që do të na largonte nga feja jonë e
madhërishme. Por ne nuk duhet të lejojmë që të kthehemi përsëri në terr dhe
errësirë pasi Islami na ka shpëtuar prej tyre. Në jetën tonë, ne duhet të
kapemi pas fesë tonë të bukur duke u treguar besnikë ndaj saj sepse vetëm ajo
na shpëton nga stuhitë dhe shtrëngatat që e kanë përfshirë shoqërinë njerëzore.
Vetëm kështu mund të jetojmë me nder dhe të fitojmë shpërblimin nga Krijuesi.
Të parët tanë kanë qenë shumë të përkushtuar për
të ruajtur përkatësinë islame. Kështu duhet të veprojmë edhe ne sot, edhe në të
ardhmen. Të mos jemi me përkrahësit e së shtrembrës që përpiqet të shkatërrojnë
gjërat e shenjta të shoqërisë, gjoja në emër të përparimit të saj. Allahu i
gjithëfuqishëm thotë: “Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë
rregulli, ndërsa Atij
lutjuni me frikë e shpresë. Vërtet, mëshira e Allahut është afër punëmirëve.”
(El A’raf: 56).
Tokën që e ka rregulluar Allahu e
çrregullojnë njerëzit. Prandaj muslimanët duhet të venë rregull në të, duke i
ftuar familjet dhe shoqërinë e tyre, madje gjithë njerëzimin në fenë e Zotit,
duke përhapur dije dhe drejtësi, duke promovuar virtyte me urdhërimin e veprave
të mira dhe ndalimit nga veset dhe e keqja.
Jeta është amanet nga Zoti dhe ne atë duhet ta
trajtojmë me kujdes dhe përgjegjshmëri. Pejgamberi a.s. ka thënë “shfrytëzo
pesë gjëra para pesë gjërave të tjera: Rininë tënde para se të plakesh,
shëndetin tënd para se të sëmuresh, pasurinë tënde para se të varfërohesh,
kohën tënde të lirë para se të jesh i zënë dhe jetën tënde para se të të vijë
vdekja”. Muslimani duhet të jetë i pajisur me virtyte dhe me ndjenjat më të
larta fisnike njerëzore. Islami urdhëron që besimtari ta ndërtojë jetën e tij
në bindje ndaj Allahut dhe nënshtrim ndaj ligjit të Tij, të kontrollojë
sjelljet e jashtme dhe veprat, fjalët, mendimet, ndjenjat dhe qëllimet e tij të
jenë në përputhje me të drejtën dhe të vërtetën (sheriatin).
Muslimanët duhet të kenë
rol aktiv në rrjedhat e përgjithshme të shoqërisë. Ata duhet ta jetojnë jetën
me ndershmëri dhe nuk guxojnë të tregohen të shurdhur ndaj nevojave të kohës
dhe as t’ia kthejnë shpinën jetës së kësaj bote, apo të tregohen indiferentë
ndaj saj. Muslimanët duhet të ndjekin rrugën e mesme, të mos e ndrydhin deri në
ekstrem instinktin, sikurse është murgëria, por as të jepen pas lirisë së
pakufizuar të pasioneve duke u bërë robër të tyre: “Kush, përveç
Allahut, mund ta udhëzojë atë njeri që dëshirat e veta i ka bërë zot?...” (El
Xhathije: 23).
Islami, si program hyjnor, i përgjigjet plotësisht
nevojave shpirtërore dhe materiale të njeriut. Ai nuk e ngujon besimtarin në
limite të ngushta por ia zgjeron horizontet e studimit, meditimit, të mirës dhe
të vërtetës. Prandaj muslimanët nuk guxojnë të jenë formalistë, por duhet ta
kuptojnë thelbin dhe esencën e fesë së tyre.
Si rrjedhim, kërkohet që të kemi një inteligjencë
që mendon dhe vepron në mënyrë islame, që do të barte flamurin e rilindjes
islame. Kjo, sepse ndikimi i Islamit nuk realizohet në mënyrë imponuese.
Ndikimi i Islamit në shoqëri realizohet aq sa njerëzit besojnë në të dhe aq sa
ata punojnë për realizimin e tij. Në suksesin e muslimanëve ndihma e Allahut
është vendimtare, por ajo ndihmë do të vijë vetëm nëse besimtarët e japin
mundin e tyre dhe e synojnë atë.
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur