Në cilën vrimë duhet venduar gishtin?!!!

Shkruan *Hamdi Nuhiju
http://www.zhurnal.mk/mk/cont.asp?k=27210135631&s=2721014019&id=22810231253&sh=13
*

Dekadat e fundit, përveç akuzave të ndërsjella pozitë-opozitë nuk pamë asgjë
të re në skenën politike dhe ekonomike. Pozita, zakonisht si formë mbrojtëse
të vetvetes përdor sulmin ndaj opozitës, ndërsa opozita këto dekadat e
fundit, po luan në kartën e ndjenjave private të njeriut. Kur them ndjenja
private, mendoj në sferën tjetër të veprimtarisë së njerëzve të veshur me
petkun politik.

Edhe pse në esencë duhet të ekzistoj një kualifikim për politikan, prapë se
prapë loja me sferën private të politikanëve zyrtar është shumë e fëlliqur
dhe e ulët. Kjo gjë nuk i arsyeton veprimet çoroditëse të disa politikanëve
tanë alla-Bill Klintonçe duke thyer çdo ligj njerëzor dhe moral. Edhe pse
gjëra të këtilla ka edhe në mesin e politikanëve tanë, por këto gjëra mbahen
fshehtas, ngaqë të gjithë janë të përlyer nga pak dhe këtë ‘sekret’ të hapur
e mbajnë mbyllur provincialisht.

Por, qëllimi i këtij titulli nuk është forma klasike e veprimtarisë amorale
të njerëzve-politikanë.

 Çështja më shumë ka të bëjë me pjesën alegorike sesa me pjesën praktike.
Sepse tek e fundit për pjesën praktike të veprimtarisë amorale të
njerëzve-politikanë secili mban përgjegjësi për veten e tij. Sa i përket
pjesës alegorike me kuptim të deshifrimit të rrjedhave politike atëherë
mbajmë përgjegjësi e gjithë shoqëria, duke përfshirë edhe opionbërësit.

Partitë politike shqiptare në Republikën e Maqedonisë fatkeqësisht janë
shndërruar në shoqata joqeveritare që vetëm akuzojnë njëra-tjetrën e asesi
të hedhin hap para për të ndryshuar vizionin e këtij vendi. Kritika është
piedestali më i lartë i një populli, por, ajo duhet bërë në mënyrën më të
mirë.

Ekzistojnë shumë koncepte për një kritikë të frytshme dhe të pafrytshme. Një
subjekt politikë nuk mund të kritikojë qeverinë, ose edhe ministrat e
caktuar në qeveri, pa pasur një opsion të qartë, të mirë dhe praktikisht të
mundshëm. Subjektet tona politike, fatkeqësisht sot thirren ende mbi
plan-programe nacionaliste duke mos vizatuar as shkronjën A të alfabetit të
platformës ekonomike dhe politike të shqiptarëve të këtushëm.

Ne jetojmë në një shtet të njëjtë me gjitha nacionalitetet e këtushme, dhe
orientimi i subjekteve politike shqiptare mbi baza nacionale e ka sjell
gjendjen e popullit tonë në këtë gjendje. Çështja nacionale shqiptare
zgjidhet me një program politik të qartësuar, por jo të definuar si
plan-program nacionalist.

Mund të marrim shumë shembuj nëpër botë se si shumë çështje nacionale
zgjidhen në mënyra më efektive. Qeveria aktuale e Turqisë është një model
ideal i kësaj çështjeje. Edhe pse mediumet e ndikuara prej politikës
anti-turke bëjnë shumë zhurmë për problemet midis kurdëve dhe turqve, është
më se e qartë se qeveria e Rexhep Taip Erdoanit arriti që të gjejë një formë
të përshtatshme të integrimit ekonomik të kurdëve në Republikën e Turqisë.
Kurdët favorizohen për të destabilizuar Turqinë prej brenda duke nxitur
probleme që ekzistojnë vetëm në letrat e planifikuesit të mëdhenj.

 Partitë politike shqiptare nuk duhet që të nxisin ndasinë në aspektin
nacional midis shqiptarëve dhe maqedonasve. Ata duhet të gjejnë formula dhe
forma për ta shuar nacionalizmin tek partitë politike maqedonase e jo të
bëhen alibi i nacionalizmit maqedonas. E shoh, beteja e partive politike
shqiptare në opozitë nuk bëhet me VMRO-DPMNE, por me BDI.

 Edhe PDSH-ja edhe DR-ja gjatë tërë kohës merren me BDI, duke i lënë
terrenin tërësisht të hapur VMRO-DPMNE dhe luksin LSDM që të merret me
VMRO-DPMNE. Unë nuk mendoj që partitë politike shqiptare në vend nuk kanë
guxim të shprehen karshi garniturës udhëheqëse në vend.

Ata kanë guxim, por nuk shprehen ngaqë i mungon alternativa e qartë politike
në aspektin e tërësishëm për shqiptarët e Maqedonisë si një etnitet
shtet-formues, e jo si një minoritet që për të mbajtur në skenë partitë
politike shqiptare gjithmonë duhet të kërkoj të drejta prej maqedonasve. Me
këtë konstatim nuk miratoj veprimet jo të drejta të BDI e as që them se BDI
nuk duhet kritikuar. Ajo duhet kritikuar, por nuk duhet të jetë preokupimi
kryesor i partive politike shqiptare në opozitë. Birat janë hapur. Gishtat
të gjitha janë në numër. Ka ngelur gjallë vetëm durimi...
 * / Zhurnal /*

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan