Ramazani - Muaji i mëshirës
dhe i bujarisë
“U erdhi ky muaj, që ka
vlerë më shumë se njëmijë muaj, e atij që i ndalohet, i është ndaluar gjithë
mirësia. Të mirën e tij e refuzon vetëm i mallkuari”. (Hadith, Ibn Maxhe).Ajni
Sinani
Çdo gjë vjen në ekzistencë në një çast ta caktuar dhe
pas një periudhe të shkurtër apo të gjatë kohore zhbëhet dhe shuhet. Kalojnë
ditë, vite dhe njerëzit largohen prej kësaj bote. Që të gjithë këta, një ditë
do të paraqiten para Sundimtarit të Ditës së Gjykimit (Malik jevmi din),
prandaj njeriu e ka për obligim që të mendoj për këtë, sepse “Kush ka
bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë
ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë.” (El Zelzele: 7-8).
Ramazani është muaji i madhërishëm dhe i bekuar,
Allahu e ka veçuar me favoret dhe mirësitë e Tij dhe e ka nderuar këtë muaj me
zbritjen e Kur’anit fisnik. Ai vjen me mëshirë dhe falje nga Krijuesi i
Gjithëmëshirshëm.
Njeriu i sotëm ndien boshllëk shpirtëror si pasojë e largimit të tij nga
Krijuesi, prandaj ai duhet t’iu kthehet vlerave shpirtërore dhe Ramazani është
një rast i volitshëm në këtë drejtim. Kush i gëzohet Ramazanit dhe ia hap
zemrën e shpirtin atij, Allahu derdh me bollëk mbi të mëshirën e Tij.
Ramazani është një pranverë për shpirtin e
besimtarit që ia mbush zemrën me mëshirë, dhembshuri, dëlirësi dhe dashuri. Për
shkak të veçantisë së këtij muaji, Zoti e obligoi agjërimin në të. Pejgamberi
a.s. thotë: “Umetit tim i janë dhënë pesë gjëra në Ramazan që nuk janë dhënë
asnjë umeti më parë:
1. Era e gojës së agjëruesit, gjersa ai agjëron, është më e dashur për
Allahun se aroma e miskut. 2. Melekët luten për faljen e mëkateve të agjëruesve
derisa ata të përfundojnë agjërimin. 3. Allahu
çdo ditë e zbukuron xhenetin për ta dhe thotë: edhe pak dhe do të largohet çdo
brengë
dhe shqetësim prej robërve të Mi dhe ata do të vinë te ti. 4. Pengohen të
gjitha intrigat e shejtanit dhe ata nuk mund të bëjnë atë që bënin më parë; 5.
Atyre
u falen mëkatet natën e fundit. Dikush pyeti: mos është në natën e Kadrit, o
Pejgamber
i Allahut? I Dërguari i Allahut u
përgjigj: jo nuk është, por kur një punëtor kryen punën e vetë, në fund për atë
punë i jepet edhe pagesa.” (Imam Ahmedi).
Muaji i Ramazanit duhet të jetë muaji i adhurimit dhe
i afrimit te Allahu, i gjallërisë dhe i aktivitetit, dhe jo i neglizhencës dhe
pasivitetit. Muslimani
është i obliguar të jetë i devotshëm dhe t’i kryejë urdhrat fetarë vazhdimisht,
e veçanërisht gjatë këtij muaji duhet që ta shtojë intensitetin e devotshmërisë
së tij. Mu për këtë agjëruesi duhet që të kalojë çdo çast në adhurim. Krahas
pesë namazeve farz, agjëruesi duhet të përpiqet t’i falë edhe sunetet e tyre me
rregull. Namazi i njohur gjatë Ramazanit është namazi i teravisë që falet në
xhami me xhemat, ku mund të marrin pjesë edhe gratë.
Gjithashtu, rekomandohet falja e namazit të natës.
Allahu i madhërishëm thotë: “Ata ngrihen nga shtrati, i luten Zotit të tyre më
frikë e
shpresë dhe japin nga ajo që ju kemi dhënë Ne.“(Es Sexhde: 16). Muhammedi a.s
ka thënë: “Namazi
më i mirë, veç namazit farz, është namazi i natës.“ (Muslimi). Namazi i natës
që shpërblehet më së shumti është ai që falet gjatë Ramazanit. Prandaj
Pejgamberi
a.s. thotë: “Kush e kalon muajin e Ramazanit duke u falur gjatë natës, duke
besuar
dhe shpresuar vetëm te Allahu, do t’i falen mëkatet e mëhershme.”
Agjëruesi i vërtetë është ai që jeton me librin e
Allahut, sepse Ramazani është muaji në të cilin ka filluar zbritja e Kur’anit,
i cili është
shërim i sëmundjeve tona dhe zgjidhje e halleve dhe problemeve tona: “Ne
shpallim nga Kur’ani atë që është shërim dhe mëshirë për besimtarët ...” (El
Isra: 82).
Mirëpo, ne nuk duhet të mjaftohemi vetëm me
leximin e Kur’anit, por duhet t’i kushtojmë rëndësi kuptimit dhe zbatimit të
asaj
që na urdhërohet në të. Atë duhet t’ua mësojmë edhe të tjerëve, sepse
Pejgamberi a.s. thotë: “Më i miri mes jush është ai që e lexon Kur’anin dhe ia
mëson atë të tjerëve.” (Buhariu).
Gjatë këtij muaji duhet të pendohemi dhe të
zotohemi se nuk do t’iu kthehemi më mëkateve të mëhershme. Kur mëkatet
përsëriten dhe shumëfishohen, ato mbizotërojnë mendjen dhe zemrën e njeriut.
Mëkatet e vazhdueshme bëjnë që zemra të
nxihet e tëra dhe kështu ajo bëhet refuzuese ndaj çdo gjë që është fisnike dhe
morale.
Duhet t’i shtojmë lutjet dhe duatë tona. Dijetari i madh Ebu Hamid El
Gazaliu e krahason duanë me mburojën që mbron nga shigjetat dhe heshtat sepse
lutja
e mbron besimtarin nga fatkeqësitë dhe sprovat. Por ai nuk duhet të nxitojë në
pranimin e duasë së tij nga ana e Krijuesit. Pejgamberi a.s. thotë: “Allahu i
përgjigjet lutjes së robit të tij, nëse robi nuk nxiton duke thënë: jam lutur,
por nuk më është plotësuar lutja!”. (Buhariu,
Muslimi etj).
Për shkak të egoizmit dhe të fitimit të të mirave
në mënyrë të panjerëzishme, në dëm të të tjerëve gjatë Mesjetës, Evropa ka
përfunduar në materializëm, si pasojë e të cilit kanë rezultuar të gjitha
fatkeqësitë që kanë goditur njerëzimin. Ndërkaq, egoizmi
dhe individualizmi i skajshëm janë të panjohur për muslimanin, prandaj
urdhërohet
ofrimi i ndihmës materiale dhe i shpërndarjes së një pjese të pasurisë me qëllim
të zbutjes së dallimeve mes njerëzve.
Shoqëria islame nuk duhet të ketë
mjerim social dhe dallime klasore. Islami dëshiron të ndërtojë një njeri që
sakrifikon të mirat materiale dhe jetën e tij për të mirën e shoqërisë.
Agjërimi dhe namazi zhvillojnë vlerat e brendshme
të zemrës dhe shpirtit dhe ndikojnë në formimin e karakterit fisnik tek
agjëruesi.
Agjërimi, si një institucion social, kultivon ndjenjën e bujarisë dhe
fisnikërisë
dhe e nxit agjëruesin që të kontribuojë materialisht për t’i ndihmuar njerëzit
në nevojë. Prandaj, krahas agjërimit, në Ramazan është e obligueshme dhënia e
sadakatul fitrit, si edhe
rekomandohet dhe është e pëlqyeshme dhënia e zekatit të obligueshëm dhe e
sadakave
të ndryshme për njerëzit e varfër dhe skamnorë.
Sadakatul fitri jepet gjatë muajit të Ramazanit, para faljes
së namazit të Fitër Bajramit, në mënyrë që të varfrit të përgatiten për ditët e
Bajramit si edhe fëmijët e tyre t’i gëzohen kësaj feste. Në një hadith thuhet:
“Pejgamberi
i Allahut e ka përcaktuar sadakatul fitrin si pastrim për agjëruesin nga
fjalët e turpshme dhe bisedat e kota dhe
si furnizim për të varfrit. Prandaj kush e jep atë para namazit të Bajramit i
llogaritet si sadakatul fitër, e nëse e jep pas namazit i llogaritet si sadaka
(e rëndomtë).”(Ebu Davudi, Ibn Maxhe dhe Hakimi).
Nga urtësitë e agjërimit është që i pasuri të ndiejë
urinë me të varfrin dhe të kuptojë vlerën e mirësive dhe pasurisë që i janë
dhuruar dhe të tregohet mirënjohës ndaj Allahut, duke i ndihmuar njerëzit që
janë të nevojshëm. Rëndësia që Islami i jep aspektit social mund të kuptohet nga
thënia e Muhammedit a.s.: “Nuk është musliman i
vërtetë ai që ka barkun plot, kurse fqinji përkrah tij është i uritur.”
Shoqëria që nuk
i respekton këto vlera digjet në flakën e ndasive të saj klasore si
rezultat i korrupsionit, padrejtësisë dhe amoralitetit. Në kohën tonë vlerat
morale janë degraduar, kurse pasurimi me çdo kusht, pavarësisht nga përzgjedhja
e mjeteve, është bërë qëllimi kryesor i jetës. Prandaj është e nevojshme që
jeta e njeriu t’i nënshtrohet ligjit moral dhe të zgjojë ndjenjën sociale tek
njerëzit që të zbutet varfëria dhe uria.
Pejgameberi a.s., edhe pse gjatë gjithë kohës ka
qenë njeriu më bujar, megjithatë, gjatë Ramazanit, bujaria dhe fisnikëria e tij
manifestohej edhe më shumë. Sahabët, për mirësinë e tij gjatë muajit Ramazan,
kanë thënë se ka qenë “më me bollëk (më shumë se mirësia e erës që sjell shiun
e begatshëm)”. Në një hadith Pejgamberi a.s. thotë: “O njerëz, përhapeni
selamin, ushqejini ata që kanë nevojë, mbajini lidhjet farefisnore dhe faluni
gjatë natës kur të tjerët bëjnë gjumë, do të hyni në xhennet.” (Tirmidhi &
Ibn Maxhe)
Muaji i Ramazanit është kohë e
pendimit të sinqertë, e pastrimit të zemrave, e ngjitjes dhe lartësimit të
shpirtrave drejt pastërtisë dhe dëlirësisë, larg materies dhe nefsit, duke dalë
në fund me gabime të falura, pa mëkate, sikurse kemi lindur të pastër e pa
gjynahe.
Ramazani është koha e adhurimit
ku njeriu i tëri i përkushtohet Allahut dhe kur reduktohet roli i stomakut. Ai
nuk është muaji i ngrënies dhe pijes
pa masë. I Dërguari i Allahut na këshillon që të mos e teprojmë me ushqim dhe
pije dhe kjo vlen edhe gjatë kohës së iftarit: “Njeriu kurrë nuk mbush enë më të
keqe se stomakun e tij… një pjesë të
stomakut le ta mbushë me ushqim, një pjesë me ujë dhe një pjesë le ta lërë
të zbrazet që të marrë frymë lirshëm.” (Tirmidhi dhe Ibn Maxhe).
Agjërimi ka edhe anën e tij të brendshme të
moralit që është shumë më e rëndësishme se ana e jashtme formale që nënkupton
ndërtimin e karakterit pozitiv. Pra, për të arritur qëllimin e plotë të tij
kërkohet jo vetëm abstenim nga ushqimi e pija dhe kënaqësitë e ndaluara, por
edhe ndërtimi i karakterit pozitiv tek agjëruesi, me çka do të arrihej
kënaqësia e plotë e Allahut.
Prandaj, agjëruesi nuk duhet të përgojojë, të
mashtrojë, të gënjejë, sepse veshi, syri, gjuha, mendja dhe zemra e tij duhet
të agjërojë nga çdo gjë që shkakton zemërimin e Allahut. Agjëruesi duhet të
jetë i përmbajtur dhe të mos flasë fjalë të papëlqyeshme, të mos bëjë vepra të
ndaluara dhe të tregojë respekt ndaj agjërimit të tij. Dhe nëse ndodh që dikush
ta ofendojë atë, ai nuk i përgjigjet atij në të njëjtën mënyrë. Pejgamberi a.s.
thotë: “Agjërimi mbron nga morali i keq, sepse ai që agjëron nuk flet gjëra të
turpshme dhe nuk bërtet. Nëse e shan dikush ose e sulmon, lë të thotë: “Unë
agjëroj, unë agjëroj”.” (Buhari dhe Muslimi).
Gjatë këtij muaji kërkohet të jemi më aktivë dhe të
punojmë në vetëdijesimin e të tjerëve në aspektin fetar dhe këshillimin e tyre.
Prandaj duhet të nxisim anëtarët e familjes, të afërmit dhe gjithë muslimanët që
të agjërojnë dhe të falin namazin, të lexojnë Kur’anin dhe të mësojnë më shumë
për fenë islame. Ditët dhe netët e Ramazanit janë rast për secilin besimtar,
prandaj le t’i shfrytëzojmë maksimalisht, duke iu shmangur ndenjjeve të
padobishme nëpër lokale dhe fjalëve boshe.
Aisha r.a. tregon: “Kur hynin dhjetë ditët e
fundit të Ramazanit, Pejgamberi i Allahut e shtrëngonte rripin, falej gjatë
natës
dhe zgjonte familjen e tij për namaz të natës.” Nga kjo që thotë nëna e
besimtarëve, kuptojmë se i Dërguari i Allahut i kalonte netët në namaz duke
lexuar Kur’anin, duke kërkuar falje dhe duke përmendur Allahun në kërkim të
natës
së Kadrit.
Gjithashtu preferohet qëndrimi në itikaf. Aisha
r.a. gjithashtu tregon se Pejgamberi a.s qëndronte në xhami gjatë dhjetë ditëve
të fundit të Ramazanit. E veçanta e tyre
është se në to bie nata e bekuar e
Kadrit, e cila është më e dobishme se njëmijë muaj.
Një prej veprave shumë të lavdërueshme te Allahu
është edhe përkujdesja ndaj jetimëve. Në hadithin që transmeton Buhari,
Muhammedi a.s. ka thënë: “Unë dhe ai që kujdeset për jetimin do të qëndrojmë në
xhennet si këta dy gishta! (duke bashkuar me njëri-tjetrin gishtin tregues dhe
të mesëm).
Preferohet gjithashtu të vizitojmë të afërmit, të
sëmurët, të ushqejmë skamnorët, të bëjmë iftar me të tjerët, të kërkojmë falje
nga ata që iu kemi bërë padrejtësi, të pajtohemi me ata që nuk flasim, t’i
pajtojmë njerëzit e hidhëruar dhe të marrim pjesë në përcjelljen e ndonjë
xhenazeje.
Agjërimi është mëshirë e Allahut që ia ka dhuruar
robërve të Vet, duke i udhëzuar ata në atë që është e dobishme për trupin dhe
shëndetin e tyre, në mënyrë që të arrijnë jetë të lumtur dhe të denjë në këtë
botë dhe shpërblimin në botën tjetër.
Pejgamberi a.s. thotë: “Çdo punë e njeriut i
përket atij dhe për atë vepër do të shpërblehet dyfish, madje deri shtatëqind
herë. Allahu i madhëruar thotë: ‘Pos agjërimit. Ai është i Imi dhe Unë shpërbëj
për të, sepse agjëruesi për Mua ka braktisur kënaqësitë dhe ushqimin’. Agjëruesi
ka dy gëzime, kur bën iftar dhe kur do të takojë Allahun, dhe kjo do të ndodhë
në botën tjetër, kur njeriu do të dëgjojë thirrjen: Ku janë agjëruesit ? Le të
hyjnë në xhenet përmes
derës Rejhan, përmes së cilës nuk mund të hyjë askush tjetër përveç tyre.”
(Buhariu
dhe Muslimi).
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur