Përse gruaja gjendet larg këtyre mexhliseve?
Shkruar nga Blerta Shaqiri
Monday. 23 February 2009
Mos të ngurrojmë, të kërkojmë dije në këto tubime.
Transmetohet nga Ebu Hurejra, radijallahu anhu, se i Dërguari, alejhi selam, ka
thënë: ”Vërtet, Allahu ka engjëj udhëtarë të zgjedhur, të cilët i përcjellin
tubimet e dhikrit dhe kur gjejnë tubim të dhikrit, ata ulen me ta dhe
njëri-tjetrin e mbështjellin me krahët e tyre, kështu që e mbushin gjithçka që
gjendet mes tyre dhe kësaj bote. Pasi shpërndahen të tubuarit, engjëjt ngrihen
dhe shkojnë në qiell. Atëherë, Allahu i pyet ata për përmendësit e Allahut,
ndonëse e di më mirë se ata gjendjen e tyre: “Prej nga erdhët?” Engjëjt thonë:
“Vijmë nga robërit e Tu, që në Tokë të bëjnë tesbih (thonë Subhanallah), tekbir
(Allahu Ekber), tehlil (La ilahe il-lall-llah), tahmid (Elhamdu lil-lah) dhe
lutje.” Allahu i Madhëruar thotë: “Çfarë po më lusin?” Engjëjt thonë: “Të lusin
për xhenetin.” Allahu thotë: ”A e kanë parë ata xhenetin Tim?” Engjëjt
thonë: “Jo, Krijuesi ynë!” Allahu thotë: “E si do të lutnin për xhenetin sikur
ta kishin parë atë?” Engjëjt thonë: “Të lusin t’i strehosh ata”. Allahu thotë:
”A e kanë parë ata zjarrin Tim?” Engjëjt thonë: “Jo”, e Allahu thotë: “E si do
ta bënin këtë sikur ta kishin parë atë?” Engjëjt thonë: “Ata të lusin për
falje”. Allahu thotë: “Unë tashmë i kam falur të gjithë, u kam dhënë ç’kanë
kërkuar dhe i kam mbrojtur nga ajo që kanë kërkuar.” Muhamedi, alejhis selam,
ka thënë: ”Engjëjt thanë: “Në mesin e tyre është një rob gjynahqar, ai ka ecur
dhe iu është bashkëngjitur rastësisht në ndejë.” Allahu thotë: “Edhe atë e kam
falur, sepse ai bën pjesë në një popull, që asnjëherë nuk do të jetë i pafat
bashkëulësi i tyre.” (Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi).
Prej nderit të mexhlisit të dhikrit është pozita e lartë te Allahu dhe se
Allahu krenohet para Melaikeve me ata të cilët e përmendin Atë.
Këto mexhlise janë shkak i madh për ruajtjen e gjuhës nga gibeti thashethemet
gënjeshtra, nga e shara, tallja dhe e kota. Ajo që duhet të bëjë të ditur
muslimani është se duhet të kujdeset në këtë aspekt se të përmendurit e Allahut
të Lartësuar nuk përmbledhën vetëm mexhliset në të cilat përmendet emri i
Allahut me lavdërim, madhërim e të ngjashme por përmbledhën cdo gjë në të cilën
përmendet cështja e Allahut si: hallalli, harami, etj.
Pasi e kuptuam rëndësinë e tubimeve të dijes, mos t’i braktisim këto tubime,
sepse janë kusht i domosdoshëm për përqendrimin në rrugë të Allahut.
Shtrohet pyetja: Përse gruaja sot nuk shkon në tubime të dijes?Përse gruaja
muslimane sot tregohet aq e shkujdesur përballë aktiviteteve të gjithëmbarshme
të saj?
Përse gjendet shumë larg shtëpive të Zotit të Madhërishëm që janë rrugë
udhëzuese për në fe e në jetë? A mos vallë i gjithë mundi i saj duhet të jetë
në artin e gatimit dhe në kryerjen e punëve të shtëpisë?
Si shkak i mospjesëmarrjes në tubimet e dijes, sot një numër i konsiderueshëm i
motrave tona janë të zhytura në injorancë, një numër i madh prej tyre nuk
posedojnë njohuritë më thelbësore për fenë, jetën dhe botën në përgjithësi. Një
numër i madh prej tyre kanë braktisur zbatimin e obligimeve të domosdoshme
fetare (në veçanti faljen enamazeve të obligueshme ditore, që janë shtyllë e
fesë Islame), një numër i madh prej tyre janë të prira të absorbojnë lehtas
pothuajse çdo të ashtuquajtur “vlerë” nga kulturat e proveniencave joislame,
një numër i konsiderueshëm prej tyre, madje, nuk posedojnë njohuritë edhe më
thelbësore lidhur me detyrat dhe obligimet e tyre që i kanë ndaj burrit,
fëmijëve dhe familjes.
Vërtet, gruaja në kohën e të Dërguarit, alejhi selam, ka marrë pjesë në
spektrin e gjerë të aktiviteteve publike në shoqërinë muslimane.
I Dërguari, alejhi sel-lem, ka thënë:
”Ai që e merr një rrugë, e me këtë rrugë ka për qëllim kërkimin e diturisë,
atëherë Allahu ia bën shkak këtë rrugë që t’ia lehtësojë rrugën për në Xhenet.”
Andaj merrni pjesë në tubime të dijes, sepse nuk e dimë se cila këshillë do të
jetë shkak që ne të forcohemi në fenë e Allahut dhe të futemi në Xhenet.
--
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në
http://groups.google.com/group/fjalaebukur