*Rëndësia e ushqimit hallall

*

 Falënderimet dhe lavdërimet i takojnë vetëm Krijuesit të kësaj gjithësie,
Atë e falënderojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.
Përshëndetjet më të përzemërta qofshin mbi të Dërguarin e fundit, Muhamedin
alejhi selam, mbi familjen e tij të ndershme, mbi shokët e tij dhe mbi të
gjithë ata që e pasuan dhe e pasojnë rrugën e tij gjer në ditën e Llogarisë.
*

Të nderuar vëllezër besimtarë!*

Të përkujtojmë të mirat dhe bereqetet që Allahu i Madhërishëm ka dhuruar për
robërit e Tij. Të mirat e Allahut nuk kanë të numëruar. Allahu xh.sh. thotë:
* "Edhe nëse përpiqeni t'i numëroni dhuntitë (të mirat) e Allahut, nuk do të
mund të arrini t'i përcaktoni ato. Me siguri Allahu fal dhe mëshiron shumë."
*1<http://www.klubikulturor.com/hytbe/2009/rendesia_e_ushqimit_hallall.htm#_ftn1>

Falënderimet ndaj Allahut duhet të jenë të njëpasnjëshme, pasi edhe të mirat
që ka dhuruar shtohen dita-ditës. Kjo është mrekullia që Allahu xh.sh. ka
bërë për krijesat e Tij. Duke falënderuar Allahun, pa dyshim se do të njohim
vlerën dhe rëndësinë e çdo gjëje dhe do të luftojmë që të veprojmë sa më
shumë vepra dhe punë të mira.

* Vëllezër të respektuar!*

Nga dhuratat me të cilat Allahu na ka begatuar janë ushqimi dhe pija. Këto
dy elemente janë shumë të rëndësishme për jetën e njeriut, prandaj duhet të
kemi kujdes se si e fitojmë këtë ushqim; a është i lejuar apo i fituar në
forma të ndaluara. Të bëhemi të vetëdijshëm se ushqimi haram dëmton edhe
ibadetin, dëmton ardhmërinë e familjes, dëmton imazhin e muslimanit. Të
mendojmë për shkaqet dhe arsyet e ushqimit hallall. Të mendojmë se si ndihet
njeriu kur ushqehet me ushqime haram, me pije të ndaluara, të mendojmë rreth
efekteve të konsumimit të ushqimeve dhe pijeve të ndaluara (harame). Le t'u
hedhim një shikim argumenteve kuranore që kanë të bëjnë me ushqimin dhe
pijet e dedikuara për muslimanët. Është me rëndësi që, si muslimanë që jemi,
gjithsesi duhet të ushqehemi me ushqime hallall e mos ta humbim veten në
konsumimin e ushqimeve të ndaluara. Njëkohësisht duhet t'i kushtojmë rëndësi
të veçantë burimit të ushqimit; nga vjen, ku prodhohet dhe ajo që është më
me rëndësi, që të mos sjellë dëme në shëndetin tonë.
Në suren En-Nahl, Allahu xh.sh. thotë:* "Ju (besimtarë), hani nga të mirat
që ua dha Allahu, të lejuara e të pastra, jini mirënjohës për dhuntitë e
Allahut, nëse jeni të sinqertë në adhurim vetëm ndaj
Tij."*2<http://www.klubikulturor.com/hytbe/2009/rendesia_e_ushqimit_hallall.htm#_ftn2>

Muslimani i mirë duhet t'i kushtojë rëndësi asaj që konsumon në jetën e tij
të përditshme, sidomos kur e dimë se çdo gjë që fusim në stomakun tonë do të
bëhet pjesë e tij dhe jo vetëm që ka efekte në anën e tij fizike, por edhe
në atë shpirtërore. Profeti Muhamed a.s. thotë: * "Kush ushqehet 40 ditë me
ushqim hallall, Allahu e ndriçon zemrën e tij me dritë dhe e bën atë burim
të urtësisë si në mendim ashtu edhe në vepra*."

Kur ushqehemi me gjëra të lejuara (hallall) dhe të mira, me këtë muslimani
ka treguar falënderim ndaj Allahut xh.sh. për të mirat që ka dhuruar.
Zgjedhja e ushqimit të lejuar ndihmon në ngritjen e sjelljeve të mira.
Ushqimi hallall e pastron zemrën, e ndriçon atë dhe e aftëson për pranimin e
të mirave.

Të marrim shembull mënyrën se si Pejgamberi alejhi selam kryente therjen e
kurbanit. Jemi të obliguar që një gjë të tillë ta praktikojmë gjatë therjes
edhe në ditët tona dhe të bëhemi sa më të mëshirshëm ndaj kafshës që duhet
therur. Duhet të kemi në konsideratë se me kafshët nuk duhet abuzuar e as
nuk duhet të lëndohen. Mënyra e drejtë gjatë therjes është që t'i therim në
mënyrë të pastër, në qafën e tyre, duke përdorur thikë të mprehtë. Kjo është
mënyra e therjes, e cila bën që kafsha të mos e ndiejë aq shumë dhimbjen.

Duhet ta dimë se pas çdo urdhri të cekur në Kuran fshihen arsyet dhe
urtësitë, prandaj mos të habitemi kur shohim ndalesat në Kuran, për arsye se
Krijuesi ynë e ka ditur se çfarë është e dobishme dhe e dëmshme për krijesat
e Tij.

Ushqimet dhe pijet të cilat janë të ndaluara për ne posedojnë edhe arsyet e
veta, pasi Allahu xh.sh. ka dashur të na mbrojë nga papastërtitë dhe
sëmundjet e panumërta që kanë kapluar botën. Për këtë do të sjellim rastin e
zbuluar kohëve të fundit, se mishi i cili nuk është therur sipas normave
islame është ndyrë me gjakun e mbetur në barkun e kafshës. Për shumë
besimtarë profesioni i therjes së kafshëve, apo thënë më mirë i kasapit
kuptohet si një profesion jo me vlerë, mirëpo duhet të kemi frikë Zotin. Në
shikim të parë duket shumë i thjeshtë, mirëpo mosnjohja e therjes sipas
normave islame me të vërtetë sjell dëme të shumta në shëndetin dhe fenë e
muslimanit. Nëse nuk i therim kafshët në venat e qafës së tyre, kjo gjë do
të shkaktojë mosdaljen dhe mosshpërthimin e gjakut nga trupi dhe nëse gjaku
nuk del nga trupi i kafshës, mishi i tillë do të ndyhet dhe do të rrezikojë
jetën e konsumuesit, prandaj duhet t'i kushtojmë rëndësi ushqimit se ku e
blejmë, të pyesim shitësin dhe të interesohemi për arsye se me këtë ushqim
ushqehemi ne, familja dhe fëmijët tanë. Është vërtetuar se edhe pijet
alkoolike e rrezikojnë jetën e njeriut dhe nuk ka dyshim se moszbatimi i
normave islame çon në dekadencë dhe degjenerim. Pijet e tilla dëmtojnë
mendjen e njeriut, shkaktojnë sëmundje trupore, siç është shtypja e gjakut
dhe sëmundje të tjera shoqërore. Mos të harrojmë se personi i dehur është i
dëmshëm për të gjithë: për gruan, familjen, rrethin, etj. Si rrjedhim, të
dashur besimtarë, kur Allahu xh.sh. na ndalon nga përdorimi dhe konsumimi i
ushqimeve dhe pijeve të ndaluara, kjo nuk do të thotë se na kufizon nga
kënaqësitë e ushqimit dhe pijes, por në fakt me këtë na mbron nga efektet e
dëmshme të ushqimeve të ndaluara.

* Të nderuar vëllezër!*

Është me rëndësi për ne që të interesohemi rreth ushqimit dhe pijeve. Nëse
dëshirojmë të jemi bashkësi islame e shëndoshë shpirtërisht dhe fizikisht,
atëherë nga ne kërkohet që të punohet më shumë në këtë drejtim. Shpeshherë
ndodh që t'i kushtojmë rëndësi të madhe ushqimeve të lejuara dhe neglizhojmë
së menduari nëse është i mirë apo i keq për ne. Allahu xh.sh. thotë: * "Të
pyesin ty (Muhammed), se çka u është lejuar atyre? Thuaju: U janë lejuar të
gjitha ushqimet e mira..."

* Nga ajeti i mësipërm kuptojmë se Allahu xh.sh. jo vetëm që na ka urdhëruar
të hamë ushqime të lejuara, por në të njëjtën kohë ato duhet të jenë edhe të
dobishme për shëndetin. Fjala vjen, ushqimet që përmbajnë yndyra apo
ushqimet me përmbajtje të shumtë të sheqerit dhe kripës shkaktojnë sëmundje
si infarkti, sëmundja e sheqerit, problemet e veshkave e shumë e shumë të
tjera.

 Besimtarë të respektuar, të mos harrojmë se trupi ynë është amanet nga i
madhi Allah xh.sh., prandaj Allahu na e ka besuar këtë amanet dhe do të
kujdesemi për të në të gjitha mënyrat. Allahu xh.sh. thotë: * "Dhe jepni në
rrugë të Allahut e mos e hidhni veten në rrezik dhe bëni mirë, se me të
vërtetë Allahu i do
bamirësit."*3<http://www.klubikulturor.com/hytbe/2009/rendesia_e_ushqimit_hallall.htm#_ftn3>

Duhet të bëhemi muslimanë të mençur, të dimë se si të zgjedhim nga ushqimet
dhe pijet e lejuara, të cilat në të njëjtën kohë janë të dobishme për
shëndetin. Për të arritur sukses në këtë drejtim, siç e cekëm edhe më lart,
nuk ia vlen vetëm të themi se ushqimi duhet të jetë hallall, por i duhet
kushtuar rëndësi edhe përmbajtjes së ushqimit, që të mos sjellë dëme në
shëndetin tonë, përndryshe nuk jemi kujdesur si duhet ndaj trupit dhe
shëndetit që Allahu na ka begatuar. Feja islame me të vërtetë i rregullon të
gjitha sferat e jetës së njeriut; ato të jashtme dhe të brendshme. Islami në
mënyrë të prerë ka përcaktuar ligjet dhe normat pa të cilat njeriu nuk mund
të ketë jetë të rehatshme. Prandaj, le t'u kthehemi fjalëve të Allahut,
ligjeve të Tij, të mos mendojmë se nga ushqimet e ndaluara do të ketë dobi,
për arsye se dëmet janë më të mëdha dhe fatale.

E lusim Allahun xh.sh. që çdo kafshatë buke që fusim në gojë, të jetë e
lejuar (hallall) dhe e lusim të Gjithëmëshirshmin që muslimanët në
përgjithësi dhe ata shqiptarë në veçanti t'i japin fund konsumimit të pijeve
të ndaluara, shitblerjes së tyre dhe të ushqehen vetëm me ushqime të
lejuara!

Në fund, kërkojmë nga Krijuesi që të na shpërblejë për të mirat dhe veprat
tona, të na e pranojë agjërimin tonë, të na i falë gjynahet, dhe të na vdesë
si muslimanë. Amin!

 Përgatiti: Mr. Fehim Dragusha
25.1.2009
www.klubikulturor.com
   ------------------------------
     
1<http://www.klubikulturor.com/hytbe/2009/rendesia_e_ushqimit_hallall.htm#_ftnref1>
) Kur'an, En-Nahl; 18.
   
2<http://www.klubikulturor.com/hytbe/2009/rendesia_e_ushqimit_hallall.htm#_ftnref2>Kuran,
En-Nahl; 114.
   
3<http://www.klubikulturor.com/hytbe/2009/rendesia_e_ushqimit_hallall.htm#_ftnref3>
) Kuran, El-Bekare; 195

--~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur
-~----------~----~----~----~------~----~------~--~---

Antwoord per e-mail aan