Klithmat që (nuk) i dëgjoj shumë(as)kush! *Shkruan:Iljasa SALIHU*
http://www.alb-drejtesia.com/al/news.php?readmore=1140 Të ashtuquajturit të mëdhenj, shpeshherë rastet e mëdha, por në territore apo vende të vogla nuk kanë kohë dhe vullnet t’i vizitojnë. Klithmat trishtuese të njerëzve nevojtarë për shumëçka, edhe pse dëgjoheshin larg e posaçërisht në muajin e shenjt të Ramazanit, prapë se prapë krijesa e zgjedhur e quajtur njeriu, i cili qe i sprovuar me pasuri dhe autoritet nuk mundi fare t’i dëgjojë këto psherëtima. Njëjtë sikurse në Xhenet, ku klithmat e gëzimit do të dëgjohen shumë larg, por prapë se prapë në mesin e njerëzve të përdhosur dhe të sprovuar me të mira materiale në këtë botë, nuk do të mundin t’i dëgjojnë këto klithma ngazëlluese të njerëzve që kishin qenë të sprovuar me mundime dhe udhëzim në këtë botë. Edhe, ky muaj i bekuar (Ramazani) shkoi sikurse muajt e tjerë! Ky epilog përsëritës dhe jo ndryshues është duke i shoqëruar në vazhdimësi fshatrat në përgjithësi. Kurse ne do të jemi të koncentruar, në studimin e një fshati në aspektin fetar dhe social, emri i të cilit ndoshta do më kujtohen ka fundi i këtij elaborati. Përkundër madhësisë së fshatit në të gjitha aspektet, prapë në fshatin në fjalë po përsëritet ligjërimi monoton, anashkalimi i të varfërve, si dhe respektimi vetëm i atyre që nuk kanë asgjë të përbashkët me njerëzinë, e të mos flasim me xhamin. Të tjetër, ata të pa interesuarit në aspektin fetar dhe social, por përgjegjësit e kësaj çështje hyjnore dhe tokësore, këtë fshat e vizitonin vetëm kur dikush i thërriste për në iftar apo në tubim partiak, si dhe pas iftarit ashtu të ngopur, dilnin në xhami për në namaz (teravia), kalimthi i thoshin disa fjalë përmendësh dhe përgjumshëm në lidhje me rëndësinë e këtij muaji dhe rëndësinë e lëmoshës, herë pas herëve i binte ndërmend se qenkemi në muajin e Ramazanin, dhe po dashka m’ia uruar këtë muaj të shenjt, apo pas tubimit partiak, ata të ngopurit me gënjeshtra, dilnin nëpër bare të ndryshme që akoma të gënjejnë, ngase gënjeshtari asnjëherë nuk po ngopka me gënjeshtra dhe premtime boshe, kështu na thoshte mësuesi kur ishim të vegjël, të drejtën pra e kishte thënë! Por, ajo e cila neve vizitorëve të fshatit na habiti është, indiferenca e qëllimshme e prijësit të fshatit dhe e Bashkësisë Islame, dega e Kumanovës, ndaj skamnorëve të cilët jetonin në skajshmëri të varfërisë, dhe këtë neglizhencë, anashkalim dhe nënçmim nuk po e bënin për së koti, por nga shkaku se ata të varfëritë qenkan të varfët edhe në fe. Kështu pra, kishte ngadhënjyer fjala e prijësit fetar të fshatit, kundrejt atij lokal dhe qendror! Një ditë, të këtij muaj të bekuar, gjegjësisht në mes të Ramazanin, u takova me dy kolegët dhe shokët e mi të nderuar, Milazim Mustafën dhe Hamdi Nuhijun, dhe unë ashtu spontanisht i tregova se një ditë isha në një fshat ku klithmat e mjerimit social, sikur me altoparlant po dëgjoheshin, por ja që qëllimisht askush nuk po ua varte veshin, bile as prijësi apo shëmbëlltyra fetare e atij fshati. Për shokët dhe kolegët e mi, kjo ngjarje nuk ishte e re, ngase ata si solidar të kamotshëm në kuadër të Forumit Rinor Islam, dega Kumanovë ishin mësuar me kësi lloj raste të mjerueshme. Tmerri i kësaj ngjarje apo ngjarje tjera të ngjashme, u dramatizonin kur merrnim vesh se, edhe hoxhallarët ia paskan kthyer shpinën këtyre të shkretëve, përmes së cilëve mund të sigurohej kënaqësia e përhershme në jetën e pambarimit. Pasi që hollësisht i njoftova me gjendjen reale, ata pa hezituar fare i morën disa paketa me gjëra ushqimore dhe higjienike, që i kishin tubuar në vazhdën e aktiviteteve solidare, që njihet si, Shporta e Ramazanit! Për një kohë relativisht një orë mbërritëm në vendin, ku me bollëk kishte fëmijë, familje me nga dymbëdhjetë anëtarësh që jetonin në një shtëpi tredhomëshe, dhe ku vështirë ishte të gjesh ndonjë njeri që ishte i punësuar në organet shtetërore apo private, përpos disa që po merreshin me ruajtjen e bagëtive të fshatit me një pagesë simbolike. Kishte fëmijë që ia kishin harruar shijen çokollatës, pikërisht në kohën kur fëmijët e disa prijësve loznin me çokollata! Ata nuk vuanin vetëm nga shijimi i kësaj ëmbëlsire, por ata në trupin e tyre kishin të veshur ca lecka, që ne agjëruesit apo “besimtarët solidar”, me asi lloj rrobash e veshim vetëm çardakun për ruajtjen e bostanit. Kur e hetuan se erdhi dikush t’i vizitonte, ata të hutuar shikonin dhe nga turpi (që secili besimtarë duhet ta ketë) nuk na u ofruan menjëherë, na shikonin si të huaj, normal si të huaj se ne të paktën i kishim të veshur një palë pantallona si duhet, por gradualisht duke i treguar kolegët e mi se kush janë (unë në atë ngjarje, isha një shkak i rastit) filluan të na ofrohen. Kur e panë se me vete kishin sjell ca ndihma simbolike, ata u gëzuan tej mase dhe shpejtas i thirrën prindërit e tyre, për t’i treguar se pas një pauze jetësore, erdhi dikush e na hapi derën për ndihma. Për një kohë shumë të shkurt, vendi ku ishim u bë zi me pleq, burra, gra dhe fëmijë. Por, edhe ne u hutuam se nuk e kishim parashikuar se do të ndodhë kështu, ngase numri i pakove të cilët i kishin marrë me veti ishin tepër të pamjaftueshme (aq kishin pas mundësi). Fëmijët kur i shikonin paketat, u gëzonin tej mase, ngase mendonin se në ato paketa mund të ketë ndonjë ëmbëlsirë (çokollatë), ndërkaq nënat u gëzonin, sepse mendonin se në ato paketa mund të ketë diçka për përgatitje të ndonjë iftari në familjen e vetë të pakën njëherë si duhet, si dhe burrat e pleqtë u gëzonin, sepse mendonin se në ato paketa mund të ketë diçka higjienike për mirëmbajte të trupit, të paktën për Bajram. Por, edhe pse asnjëri nuk e dinte se ç’ka në të vërtet kishte në ato paketa, të gjithë me parandjenja dhe dëshira të drejta ia qëlluan, ngase Forumi Rinor Islam, dega në Kumanovë, kishte menduar gjatë kohë për nevojat e skamnorëve, ndoshta nga shkaku se një pjesë e aktivistëve nuk u dallonin, edhe aq prej kësaj shtrese. Sepse, po të ishte diferenca e madhe në shtresa, atëherë këta aktivistë nuk do ia dinin vlerën dhe rëndësinë lëmoshës. Nuk është thënë kotë se, “njeriu me bark të ngopur, nuk mund t’ia dijë atij i cili e ka barkun shterp apo ushqimi i të cilëve është i mjaftueshëm vetëm sa për ta mbajt gjallë shpirtin”. Ashtu të mallëngjyer, u larguam prej atij vendi, ku shumica e atyre mbetën të kënaqur, edhe pse kolegët e mi e dinin se kjo nuk mjaftonte dot, por aq ishin mundësit momentale, me shpresë dhe lutje që sa më shpejt edhe këta skamnorë ta shohin dritën e përkrahjes për inkuadrim në sistemet e rregullta të punës. Pasi i përcolla këta mysafir të ndershëm, mua mu kujtua fjala e prijësit ku, kishte thënë se, lere që ata janë të varfër në aspektin material, por ata janë të varfër në fe. Me këtë prijësi i “nderuar” ia kishte bërë me dije xhematit dhe kalimtarëve të rastit se, ju mos u mundoni të jepni pasuri dhe lëmosh, atje ku feja është e varfër, por lëmosha dhe pasuria juaj zë vend të merituar atje ku feja është e pasur, me këtë i “nderuari” aludonte në veten. Kurse realiteti i mirëfilltë e tregonte të kundërtën! Skamnorët e atij fshati nuk kishin mbetur pa ndihmuar, nga shkaku se ishin fukara në fe, por nga shkaku se përgjegjësit e këtyre ishin fukara në zemra. Ne praktikisht i pamë se sa ishin të pasur në fe dhe në zemër, njëjtë sikur këta të poshtmit që i pamë se sa ishin të varfër në fe dhe në zemër. Fundja, edhe nëse konstatohen se ata ishin të varfër në fe, obligimi i muslimanit, detyra e prijësit fetar dhe prijësit të fshatit (i cili fshat, nuk ishte i vogël) është që tek ata, të japim dhe të jenë shëmbëlltyra dhe modeli më sublim për t’i pasuruar të varfrit në fe, ngase neglizhenca e këtyre do e thellojë, edhe më shumë varfrin fetare në aspekt më të gjerë. Realiteti e dëshmoi të kundërtën! Nuk do të mërzitemi, edhe aq shumë, kur mendojmë se kjo jetë është e shkurt dhe të gjithë do të përgjigjemi para Krijuesit për veprat e bëra në këtë jetë. I pasuri do të përgjigjet për neglizhencën e të varfërve, si dhe prijësit do të përgjigjen për të dytë, po ashtu të dytë do të dënohen apo do të shpërblehen në jetën tjetër të përjetshme. Mos të keqkuptohemi, nuk jam prej atyre që pandehin ta varfërojnë të pasurin duke e ndihmuar të varfrin dhe anasjelltas, por të kërkojmë dhe të japim lëmosh dhe treg të punës për të varfrit, aq më shumë kjo iniciativë kishte me qenë tejet efikase dhe e ndihmuar në muajin e shenjt të Ramazanit. Sepse, realiteti i përditshëm, të gjithë neve që sofrat i kemi të shtruara dhe të mbushura me gjëra të llojllojta ushqimore, na obligon dhe detyron të mendojmë, edhe për të tjerët që ndoshta përpos qumështit të dhisë nuk kanë tjetër çfarë të hanë. Turpi bëhet, edhe më i madh kur i shohim disa prijës fetarë të ftuar në ndonjë iftar, ku hanë duke qenë të buzëqeshur e të gëzuar, por që njëkohësisht duke i harruar tërësisht ata që, edhe erën e bukës e kishin harruar që moti. Kjo traditë dhe veprimtari nuk ndërlidhet fare me traditën e Profetit tonë të dashur, as me të shokëve besnik të tij, ndoshta ky veprim ndërlidhet me atë, i cili është përbetuar që ta dërgoj njeriun në humbje, e i cili u bë mendjemadh në kohën kur të gjithë iu përkulën Ademit (paqja dhe mëshira e Zotit qoftë mbi të). Vallë në ditën e Bajramit, që ndoshta të gjithë do të jemi të gëzuar, sepse për muslimanët kjo ditë është festë, do të kemi fytyrë të lumtura dhe do ta hamë drekën e begatshme të Bajramit, në të njëjtën kohë, kur të tjerët apo fëmijët e të tjerëve, janë duke qarë që babai i tyre, katër bajrame radhazi nuk i ka blerë fare tesha për Bajram. Do të ngazëllehemi apo do të ngashërehemi, kur t’i shohim këta fëmijë duke ardhur nëpër shtëpitë tona për të kërkuar sheqerka? Vallë, lutja “Zoti ua pranoftë agjërimin dhe të gjitha adhurimet e bëra në këtë muaj”, do të jetë e plotë, përball të shkretëve dhe të harruarve? Nuk kamë më forcë të shkruaj, edhe për jetimët skamnor të cilët përpos mungesës së babait, atyre u mungon edhe përkujdesja e organeve kompetent dhe e përgjegjësve të tjera të gjakut dhe të fesë. Ne bëmë fjalë për një fshatë, fatin e të cilit e kanë edhe shumë fshatra të tjerë, por më falni, emri i fshatit nuk më kujtohet dot, sepse jam tërësisht i mbërthyer dhe i pushtuar prej emocioneve! http://www.alb-drejtesia.com/al/news.php?readmore=1140 --~--~---------~--~----~------------~-------~--~----~ Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në Google Groups. Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected] Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në [email protected] Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në http://groups.google.com/group/fjalaebukur -~----------~----~----~----~------~----~------~--~---
