Shoqëria dhe ne
Hamdi Nuhiju
( botuar në revistën Lumturia, Prizren, Dhjetor 2009, nr.1)


Nëse futemi në raportet sociale dhe religjioze midis njeriut dhe njeriut,
midis njeriut dhe Zotit, dhe midis njeriut, njeriut, dhe Zotit, atëherë do
të dalin në pah shumë pikëpamje ose pikëvështrime të cilat më shumë do e
turbullojnë mendjen e njeriut sesa të qartësojnë idenë e të vepruarit
bashkërisht në shoqërinë njerëzore. Njeriu asnjëherë nuk guxon që veten e
tij ta shoh vetëm njësh, si individ në shoqëri, pasi që njësh është Allahu i
Madhërishëm. Ai, pra njeriu, asnjëherë nuk guxon që ta shoh veten të
përjashtuar prej shoqërisë. Bile obligohet që të bëhet pjesë e shoqërisë, të
identifikohet me të, edhe nëse në shoqëri bëhen delikte ndaj Allahut dhe
njerëzve, të mundohet që të zgjidh ato me urtësi e mençuri. Nuk ka në
shoqërinë njerëzore deklarim të tillë si “individ i pavarur”, i cili si i
tillë të veproj dhe të ekzistoj në vrushkullin e botëkuptimeve. Të gjithë
njerëzit janë dhe duhet të jenë të varur ndaj njëri-tjetrit, po arsyeshëm
ata janë të varur edhe ndaj Krijuesit të tyre. Varshmëria gjithherë nuk
është gjë e dëmshme, por edhe jo gjithherë gjë e mirë. Prandaj ekziston
vullneti i të vepruarit, të cilin Zoti e ka mbjellë tek individi. Ne nuk
mohojmë asnjë emër dhe cilësi të Zotit të Madhërishëm me këtë konstatim, por
mundohemi që të përfitojmë prej logjikës së pastër në raportet ndër
njerëzore. Fatalistët mund të përjashtojnë gjithçka që vjen si rezultat i të
padukshmes dhe të thërrasin në të padukshmen si dogmë të veprimtarisë së
tyre. Njeriu së bashku me njeriun dhe jo vetëm, duhet që të mundohet, të
veprojë, të punojë, të përhapë dritën e të vërtetës, dhe në fund vet e jo
bashkë me njeriun të jap llogari për veprat e tij të bëra në këtë botë. Në
saje të tyre ai ose do të shpërblehet ose edhe do të dënohet.
Nëse natyra njerëzore njeh raportet mjek-pacient, e nëse në të është mbjellë
logjika e gjykatësit në raste deliktesh dhe e të gjykuarit, me siguri se
këto raporte vlejnë edhe në trajtimin e dimensionit ideologjik të individit
ndaj shoqërisë. Nëse ai lëngon nga sëmundje të ndryshme shoqërore,
psikologjike e shpirtërore, pra individi, atëherë shoqërinë duhet ta shoh si
një formë mjekimi ose dozë mjekimi të lëngimeve të tij. E tërë shoqëria nuk
shndërrohet në mjek, por në shoqëri gjendet mjeku dhe jo jashtë. Zaten edhe
mëshira e Zotit gjendet në shoqëri dhe jo jashtë shoqërisë. Në shoqëri
gjenden përgjigjet e shumë pyetjeve pa përgjigje dhe jo jashtë shoqërisë.
Madje Profetët e Zotit u dërguan për shoqërinë dhe asnjëherë për individët.
Disa ishin dukshëm më të suksesshëm se disa të tjerë, ndërsa disa të tjerë
ishin mësim dhe urtësi e ajkës së veprimtarisë së individëve në shoqëri.
Ata, pra Profetët, erdhën në shoqërinë njerëzore që ta transformojnë atë.
Shoqërinë njerëzore mundesh ta transformosh edhe ti nëse je i interesuar për
një veprimtari të këtillë. Zaten, individi si pjesë e shoqërisë, do të
kontribuoj në të dhe në një farë mënyre ai edhe bën transformime në
shoqërinë ku jeton. Këto transformime i bën edhe një nxënës i cili ka një
ves të mirë të mësuar nga edukata familjare, dhe duke e bërë vepër atë ves,
ndikon tek nxënësit tjerë në shkollë dhe në këtë mënyrë i mundëson edhe të
tjerëve që të përfitojnë prej atij vesi të mirë. Në këtë kontest edhe një
student në universitet përmes moralit të tij dhe mos veçimit me femra, e
sjelljeve të mira, mund të bëhet një transformator i shoqërisë njerëzore
duke reflektuar në të. Zaten të gjitha transformimet në shoqërinë njerëzore
bëhen përmes reflektimeve dhe vezullimeve e aspak përmes mbylljes,
ndrydhjes, shembjes, katastrofës. Ideologjia e reflektimit tënd është
ideologji e mbjellë nga edukata dhe sjellja e mirë e mësuar në familje.
Popujt, civilizimet në botë ngrihen përmes respektimit të vlerave morale dhe
kapjes pas diturisë e punës, ndërsa shohin te poshtëzën në momentin e
largimit prej këtyre vlerave të cilat janë të domosdoshme. Shoqëria ku
jeton, asnjëherë nuk guxon që të shndërrohet në shoqëri të huaj e pa njohur
për ty. Ti duhesh të jesh pjesë e saj edhe në momentet më të vështira, po
edhe në momentet e gëzimit. Të ndash gëzimin dhe hidhërimin me shoqërinë ku
jeton, të qash dhe të qeshesh bashkë me të, është një prej veprave të
pëlqyera dhe të urdhëruara. Njerëzit asnjëherë nuk kanë qenë të gjithë të
njëjtë. Ata janë krijesa me karaktere dhe vese të ndryshme të cilat krijesa
ndonjëherë e teprojnë përmes veprimeve të tyre në kundërshtim me shoqërinë
njerëzore dhe vet Krijuesin, e ndonjëherë komplet grupe shoqërish mundohen
ta përjashtojnë prej ekzistencës së tyre ekzistencën e Krijuesit.
Mevlana Xhelaludin Rumi thotë në njërën prej poezive të tij:” Bëhu si lumi
në bujari dhe ndihmë,/ Bëhu si dielli në zemërgjerësi dhe mëshirë,/Bëhu si
nata në mbulimin e mangësive të tjetrit,/ Bëhu si i vdekuri në hidhërimin
dhe kërcënimin,/ Bëhu si dheu në modesti,/ Bëhu si deti në mirëkuptim,/ Si
do që të bëhesh,/ Ose duku ashtu si je, / Ose bëhu ashtu si dukesh.../”
Raporti yt ndaj shoqërisë duhet të jetë si rrjedhë lumi në bujari e ndihmë.
Lumi ka një pikëfillim, dhe njerëzit zakonisht nuk ia dinë pikën e fundit të
tij. Ai rrjedh pandalim për të gjithë njerëzit duke i ndihmuar atyre dhe
duke ua lehtësuar jetesën në këtë botë. Edhe pse rrjedh pandalim, asnjëherë
nuk ankohet për veprimtarinë e tij. Ndodh shpesh herë që lumi ti shërbejë
njerëzve dhe ato ta ndotin atë duke hedhur mbeturina të llojllojshme dhe
duke mos u bërë të përgjegjshëm. Por, lumi nuk bën zë për këto veprime të
padrejta të njerëzve. Ai vazhdon rrjedhën ashtu duke i shërbyer njerëzimit
dhe duke mos kërkuar asnjë kompensim për veprimtarin e tij. Kështu duhesh të
bëhesh edhe ti në bujari dhe ndihmë për shoqërinë.
Përderisa je bërë pjesë e pandashme e shoqërisë duhesh të bëhesh sikur
dielli. Dielli në zemërgjerësi dhe në mëshirë është një shembull për të
gjithë individët që duan të jenë zemërgjerë dhe të mëshirshëm ndaj
njëri-tjetrit. Dielli nxeh të gjitha krijesat njëjtë, si ato që bëjnë mëkate
si ato që nuk bëjnë mëkate, dhe përmes rrezeve të tij i mundëson këtyre
krijesave që të jetojnë prej frutave të cilat rriten me dhe piqen me
prezencën e diellit. Ai nxeh pandalim me mëshirë dhe zemërgjerësi e aspak
nuk hidhërohet. I tillë duhet të jetë edhe trajtimi jot ndaj shoqërisë ku
jeton.
Nëse sheh mangësi te tjetri duhesh të bëhesh si nata e cila i sheh mangësitë
e të gjithë njerëzve, por i mbulon dhe nuk i nxjerr në pah. Në këtë mënyrë
nata gjithmonë i jep një mundësi të dytë njeriut për tu përmirësuar prej
asaj mangësie dhe atij veprimi jo të mirë. Shoqëria njerëzore është një
tërësi në të cilën gjenden të mirat dhe të këqijat. Nëse me ose pa nevojë i
nxjerrim në pah mangësitë e njerëzve, kujto o njeri se edhe ti ke mangësi të
cilat nata mundet të ti nxjerre në pah, por nuk i nxjerr për arsye se të jep
një mundësi për tu përmirësuar. Prandaj edhe ti bëhu pozitiv, mendo për të
ardhmen e mos u bë mendjeshkurtër që çdo mangësi që sheh nga njerëzit ta
reklamosh dhe në këtë mënyrë të bësh maskim të mangësive tua.
I vdekuri nuk bën zë as ndaj hidhërimit dhe as ndaj kërcënimit. Prandaj për
të thënë fjalën e drejtë, për tu bërë krah i të pambrojturve mos u frikëso
asnjëherë prej kërcënimeve, e as mos bë zë, por duroji ato dhe mundohu që me
mençuri e urtësi të dalësh prej situatave të tilla. Hidhërimet duhet që të
kalohen shpejt në heshtje dhe jo në zhurmë. Nëse bëhet zhurmë në hidhërime,
atëherë do të bëhet shumë zhurmë në shoqëri, dhe prej asaj zhurme do të
ndikohen edhe persona të pafajshëm ose persona neutral të cilët do të anojnë
kah njëra palë. Kështu do të krijohen grupe të cilat do të merren me grupet
tjera dhe në këtë mënyrë organizimi i vlerave do të ishte në një kaos
kundërshtish midis individëve dhe grupeve që thërrasin në to.
Të gjithë krijesat e Zotit e shkelin dheun, madje edhe ato krijesa të cilat
janë kryelartë dhe mëkatar ndaj Zotit e ndaj njerëzve. Nëse dheu do të
kishte gojë dhe të fillonte të fliste, me siguri se kishte çka për të
treguar. Por, ai është modestë dhe duron çdo gjë, madje edhe nënçmimin që i
bëhet atij nga krijesa të ndryshme, vetëm me qëllim që të realizoj urdhrat e
Zotit për të cilat është krijuar. Zoti e ka krijuar dheun me qëllim që ti
shërbejë njerëzve, ndërsa na ka krijuar neve me qëllim që ta adhurojmë Atë.
Ne ende pa shkelur askush mbi ne, fillojmë që të krekosemi dhe të bëhemi
kryelartë. Modestia duhet të jetë shoqëruesi i jot deri në përfundim të
jetës sate në këtë botë.
Deti ka mirëkuptim për të gjitha krijesat që gjenden në të. Gjenden peshkujë
të vegjël e të mëdhenj, gjenden peshkaqen të ndryshëm e balena. Në të
vendosen dhe e shfrytëzojnë edhe njerëzit. Por, ai është i kuptueshëm dhe i
pranon të gjithë. Askujt nuk ia mbyll dyert dhe askënd nuk e trajton me një
trajtim më të veçantë. Në mirëkuptim të gjitha krijesat që e shfrytëzojnë
detin kanë trajtim të njëjtë. Prandaj edhe ti bëhu si deti në mirëkuptim me
njerëzit dhe shoqërinë njerëzore.
Mevlana Xhelaludin Rumi thotë:” Kuptimi dhe sekretet tona e mbajnë tërë
botën.”

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan