("Lutu: All-llahumme falja Jote është më e gjerë se gjynahet e
mia...") "Është obligim në besimin tonë shpresa e madhe në mëshirën
dhe faljen e All-llahut…"[1]

Janë të shumta ajetet kur'anore, që bëjnë fjalë dhe na tregojnë për
mëshirën dhe faljen e Krijuesit të Gjithësisë. Edhe në hadithet e
shumta të Profetit tonë (a.s) gjejmë argumente të shumta në lidhje me
këtë temë.

Mëshirimi, në vetvete është një prej 99 cilësive të All-llahut të
Madhëruar (esmaul-husna), me të cilat Ai i është prezantuar krijesave
të Tij. Në Kur'an mësojmë se Ai (xh.sh) është: "Mëshiruesi,
Mëshirëbërësi"[2]. Po në Fjalën e Tij, Krijuesi i Gjithëpushtetshëm, i
drejtohet robëve të Tij, duke i nxitur që të punojnë mirë dhe të mos
bëhen pesimistë ndaj faljes dhe mëshirës së Tij: "Thuaj: "O robërit e
Mi, të cilët e keni ngarkuar veten tuaj me shumë gabime, mos e humbni
shpresën ndaj mëshirës së All-llahut, pse All-llahu i falë të gjitha
mëkatet. Ai është shumë Falës dhe është Mëshirues!"[3]

Po të vështrojmë me vëmendje në disa pjesë të këtij ajeti, do të
gjejmë një mënyrë shumë të dashur me të cilën All-llahu i drejtohet
robëve të Tij që të mos humbasin shpresën ndaj mëshirës së All-llahut.
Kjo mënyrë komunikimi, shumë e ngrohtë, hap dyert e thirrjes për mbarë
njerëzit, që kanë gabuar e që kanë devijuar nga rruga e udhëzimit që
të mos harrojnë se dera e madhe e faljes dhe e mëshirës së All-llahut
është përherë e hapur për pendimin dhe kthimin e tyre të sinqertë.

Po të thellohemi pak më shumë në mrekullitë e Fjalës së All-llahut, do
të mësojmë se Vetë Ai, e ka shoqëruar Madhështinë e Tij zotëruese ndaj
gjithçkaje me mëshirimin. Na mëson: "Mëshiruesi që qëndron mbi
Arsh"[4]! Ai fare mirë mund të kishte cilësuar një tjetër prej 99
emrave a cilësive të Tij, por fakti është se All-llahu (xh.sh), në
këtë rast, ka përdorur mëshirimin. Dhe kjo ka ndodhur në më të
rëndësishmin dhe më delikatin komunikim të Madhështisë së Tij
gjithëpërfshirëse. Ky ajet, me gjithë dimensionet e tij, duhet t'i
shërbejë çdo kryefamiljari, çdo drejtuesi, çdo udhëheqësi e çdo njeriu
që qëndron mbi dikë a një grup shoqëror, që të ndërtojë raportet dhe
marrëdhëniet e tij me të tjerët mbi baza mëshirimi, jo diskriminimi e
përbuzje, jo kërcënimi e dhunimi të të drejtave njerëzore a vetë
dinjitetit njerëzor. Ndër muslimanë, kjo marrëdhënie është esenciale,
e kështu duhet të jetë!

Në thesaret e Traditës Profetike, shembujt e mëshirës dhe faljes së
All-llahut, që na i ka mësuar Profeti (a.s) janë të shumtë. Në njërin
prej tyre, tregohet se një burrë erdhi te Profeti (a.s) dhe i tha: "I
shkreti unë për gjynahet e mia!". Profeti (a.s) iu drejtua: "Lutu: All-
llahumme falja Jote është më e gjerë se gjynahet e mia dhe Mëshira
jote është më shpresëdhënëse për mua se punët e mia". Burri e tha këtë
lutje, e Profeti i tha: "Përsërite" dhe ai e përsëriti. Profeti sërish
i tha: "Përsërite", e ai e përsëriti për të tretën herë. Pas kësaj
Profeti (a.s) i tha: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[5].

Sa madhështore është kjo fjalë: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[6].
Ajo na mëson të mos harrojmë moralin e faljes në mes nesh. Ajo na nxit
të përhapim mesazhin e faljes në mes nesh. Ajo na udhëzon që të
vishemi me moralin e lartë të udhëzimeve kur'anore dhe të traditës
profetike: "Ngrihu se të ka falur All-llahu"[7], e të mos harrojmë se
sado të mëdhenj që të dukemi e sado të lart që të mbërrijmë, përherë
do të kemi nevojë të trokasim në dyert e pendimit e faljes. Me fjalë
të tjera: Përherë jemi nevojtarë të mëshirës, e kush është nevojtar i
mëshirës, mëshiron, fal dhe e hedh shikimin përtej situatave të një
çasti a një momenti, sado delikat të duket ai, në pamje të parë!

All-llahu i Madhëruar, për të na e bindur zemrën se mëshira dhe falja
e Tij janë të pakufishme, na sihariqon me lajmin e lutjes së melekëve
të Tij të afërt, për faljen dhe mëshirimin tonë: "Ndërsa ata (melekët)
që e bartin Arshin dhe ata që janë përreth tij, e lartësojnë me
falënderim Zotin e tyre, i besojnë Atij dhe i luten t'i falë ata që
besuan (duke thënë): "Zoti ynë, Ti me mëshirën dhe me diturinë Tënde
ke përfshirë çdo send, prandaj fali ata që u penduan dhe ndoqën rrugën
tënde dhe ruaji ata nga dënimi i xhehennemit!"[8] Kjo do të thotë, se
Ai me Madhërinë e Tij, ka udhëzuar edhe melekët që të luten për ne. E
ne duhet të jemi të sigurt se Ai (xh.sh) e pranon lutjen e tyre. Ai,
s'i kthen pas lutjet e sinqerta. Ah, lutjet e sinqerta dhe sekreti i
tyre…

Transmetohet nga Ebu Hurejra (r.a), se Profeti (a.s) ka thënë: "Kur
All-llahu krijoi krijesat, shkroi në një libër pranë Tij, mbi Arsh:
"Me të vërtetë Mëshira Ime e ka kaluar zemërimin Tim"[9]

All-llahut i lutemi të na udhëzojë drejt mëshirës dhe faljes së Tij.
Atij i lutemi të na drejtojë, sa herë që hutohemi, drejt mëshirës dhe
faljes. Atij i drejtohemi, të na ruajë nga padituria në arsyetim, nga
mos arsyetimi në dituri, nga mos falja në shoqëri e nga shoqëria e
atyre që s'e kuptojnë faljen dhe mesazhet e saj.
"Me të vërtetë Mëshira Ime e ka kaluar zemërimin Tim"[10]…
Burimi: islamgjakova

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan