*E premte 26 Mars 2010 21:26

Për: Deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Nga: Kryesia e Bashkësisë Islame të Kosovës

Kërkesë: Inkorporimi i lëndës “Edukata Fetare” në arsimin fillor dhe të
mesëm
*

Të vetëdijshëm se po jetojmë në një kohë mjaft dinamike, kohë kur kanë
filluar të dobësohen e zbehen vlerat shpirtërore tek njeriu..., kur shumë
dukuri negative kanë mbërthyer shoqërinë tonë, sidomos pjesën më vitale –
RININË, e cila pothuajse është zhveshur tërësisht nga ndjenja shpirtërore e
besimit..., kur kjo rini ka filluar që të bie pre e drogës, prostitucionit,
alkoolit, mosrespektimit ndaj më të vjetërve, mosrespektimi ndaj arsimtarëve
dhe profesorëve..., kur shumë nxënës shkollimin nuk e kuptojnë si diçka të
shenjtë...,

Kërkojmë nga Ju të na përkrahni në nismën tonë për futjen e lëndës “Edukata
fetare” në sistemin e arsimit publik në Kosovë, të bindur plotësisht se
inkorporomi i një lënde të tillë edukative, do të vetëdijësonte këta të rinj
për të pasur një qasje më reale ndaj botës dhe shoqërisë...
*
**
Qëllimet (synimet) e Edukatës fetare
*

Qëllimi i mësimit të edukatës fetare (të feve tradicionale në Kosovë:
islame, katolike dhe ortodokse) në arsimimin fillor e të mesëm, është që
nxënësit gjatë rritës dhe zhvillimit të tyre, do të fitojnë njohuri për fenë
e tyre, me të gjitha dimensionet e saj duke filluar nga ana shpirtërore,
morale, edukative, sociale dhe humane.

Në këtë mënyrë duke i ofruar nxënësit këto njohuri, duhet të kihet kujdes që
të gjitha këto njohuri rreth fesë, të paraqiten nëpërmjet një dialogu të
hapur e tolerant, duke i gërshetuar në këtë rast edhe teoritë dhe njohuritë
e tjera shkencore, sepse feja dhe shkenca në fakt veçse e kompletojnë
njëra-tjetrën.

Në përpilimin e kurrikuleve dhe planprogrameve të “Edukatës fetare”,
ekspertë nga Ministria e Arsimit në bashkëpunim me ekspertët që do të
caktohen nga Bashkësitë fetare në Kosovë, do të kenë parasysh që kjo lëndë
të përfshijë të gjitha përvojat pozitive të njerëzve, pa marrë parasysh
dallimet e tyre në bazën nacionale, fetare apo arsimimin fetar.

Ofrimi i këtyre njohurive fetare në të njëjtën kohë është informim dhe
përjetim real i fesë, duke u përpjekur që dispozitat edukativo-morale, të
cilat gjenden në religjionet e këtij nënqielli të mishërohen në të rinjtë
tanë të cilët nesër do të bartin barrën e ndërtimit të atdheut tonë-Kosovës.

*
Arsyetim*


- BIK-u e sheh aplikimin e lëndës “Edukata fetare” në shkollat fillore dhe
të mesme si një projekt me interes jetik dhe me rëndësi shoqërore e
kombëtare.

- Edukata fetare në shkollat publike do të ketë për qëllim ofrimin e
informacioneve të gjera për gjeneratat e reja mbi religjionet në përgjithësi
e sidomos të religjioneve të cilat u përkasin popujt e rajonit dhe të
Kosovës.

- Ofrimi i informacioneve mbi religjionet botërore, kurrsesi nuk duhet të
kuptohet si imponim i ndonjë religjioni të caktuar e as me ndonjë prapavijë
a paragjykim.

- Lënda “Edukata fetare” duhet të studiohet mirë dhe të analizohet me
mençuri e maturi, dhe si rezultat i këtij studimi duhet të përpunohen
kurrikula të mirëfillta dhe planprograme bashkëkohore, të cilat në radhë të
parë do të kenë karakter informativo-edukativ, dhe si përkrahje shoqërisë në
parandalimin e dukurive negative që kanë përfshirë shkollarët tanë në
shkollat fillore dhe ato të mesme

- Mësimet bazike mbi fenë duhet te jenë një arsye me tepër që të rinjtë të
jenë të edukuar dhe te arsimuar mirë e shëndoshë dhe të jenë të dobishëm për
veten si dhe për mbarë shoqërinë.

- Në mungesë të mësimit të mirëfilltë të njohurive fetare, shumë prej këtyre
parimeve fetare i ofrohen shoqërisë në mënyrë të pa sistemuar, të pa
studiuar dhe të pa verifikuar. Për këtë shkak, edhe lindin indoktrinimet,
shtrembërimet dhe format e ndryshme të ekstremizmit fetar.

- Institucionet kosovare në përgjithësi, e ato arsimore ne veçanti, duhet
t’i qasen këtij fenomeni me urtësi dhe mençuri ashtu siç ju kanë qasur dhe e
kanë rregulluar këtë çështje shumë shtete evropiane dhe ato të rajonit, siç
janë: Austria, Belgjika, Kroacia, Bosnja, Gjermania. Anglia, me përvojë të
gjatë të jetës demokratike.

- Siç jeni në dijeni, shumë vende evropiane, mësimin fetar e kanë të
paraparë me kushtetutë, e shumë të tjera me amendamente apo rregullore mbi
arsimin fillor dhe të mesëm, prandaj, mendojmë se edhe Kosova, duhet ta
ndjekë një rrugë të tillë.

- Lënda e “Edukatës fetare” fillimisht do të ishte e karakterit zgjedhor.

- Jemi plotësisht të bindur, se kjo lëndë edukative dhe informative mbi
religjionet botërore nuk do t’i bëjë të rinjtë tanë as hoxhallarë e as
priftërinj. Përkundrazi, ajo do t’u ofronte atyre një mori informacionesh të
dobishme rreth jetës, në mënyrë që pastaj, vetë, gjatë arsimimit te tyre të
mëvonshëm të binden se çka është e dobishme dhe çka e dëmshme për ta.

- Konsiderojmë se njohuritë fetare do të jenë një begati për të rinjtë tanë
dhe kurrsesi nuk duhet të paragjykojmë e të marrim vendime të pa studiuara
që do të jenë në dëm të gjeneratave të ardhme.

- Dëshirojmë që rinia jonë të jetë një rini e shëndoshë, e arsimuar, e
edukuar dhe e pajisur edhe me njohuri morale dhe edukative fetare. Këto
njohuri vetëm sa do ta kompletojnë personalitetin e të rinjve tanë.

- Dëshirojmë që rinia jonë të jetë sa më larg drogës, alkoolit dhe
prostitucionit, e feja është ajo që më së miri mund t’i parandalojë këto
dukuri degjeneruese dhe negative.

- Dëshirojmë që fëmijët tanë lirshëm dhe pa kurrfarë imponimi të mësojnë për
fenë e tyre. Edukata fetare nëpër shkolla, do të ndikojë pozitivisht në
rritën, mbrojtjen dhe zhvillimin intelektual të tyre.

- Dëshirojmë që me një edukim të mirëfilltë fetar, t’i rikthejmë në një jetë
normale të gjithë njerëzit e pashpresë, për t’ua kthyer atyre vetëbesimin e
humbur nga vështirësitë e jetës.

- Dëshirojmë që Kosova të jetë një Oazë paqeje dhe harmonie ndërfetare, që
secili person ta kultivojë dashurinë e tij ndaj Zotit sipas bindjeve të tij
dhe pa kurrfarë imponimi.

- Duke u nisur nga këto premisa, për rëndësinë dhe rolin e fesë në jetën e
njeriut, jemi të bindur se aplikimi i “Edukatës fetare” në sistemin arsimor
të Kosovës, jo vetëm që nuk do të pengonte ecurinë e suksesshme të edukimit,
përkundrazi do të ishte një shtytës pozitiv drejt sukseseve në formimin e
gjeneratave të shëndosha edhe fetarisht edhe intelektualisht.

- Dhe në fund, dëshirojmë që të jemi edhe në praktikë, pjesë e qytetërimit
evropian dhe botëror, qytetërim i cili bazën e tij e ka në konceptin e
besimit në Zotin e Gjithëmëshirshëm.

I nderuari z.Deputet, mbesim me shpresë se kësaj radhe, kjo kërkesë e jona,
do të shqyrtohet pozitivisht nga Institucionet relevante dhe kompetente.
Prandaj edhe kërkojmë nga ju, që me autoritetin yuaj, të na përkrahni në
këtë nismë, në mënyrë që sa më parë të jetë e mundur që ekspertët nga
Ministria e Arsimit, ekspertët tanë si dhe të Bashkësive të tjera fetare, të
bisedonim më shtruar rreth kësaj kërkese Tonë, duke shpalosur para jush një
Elaborat të thukët rreth qëllimeve parësore të Edukatës fetare.

*Me respekt

Myftiu, Mr. Naim Tërnava

Kryetar i Bashkësisë Islame të Republikës së Kosovës


*bislame.net - http://bislame.net/web/content/view/358/1/
mesazhi.com -
http://www.mesazhi.com/artikuj/myftiu-ternava-leter-deputeteve-te-parlamentit-te-kosoves
*
*

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

To unsubscribe from this group, send email to 
fjalaebukur+unsubscribegooglegroups.com or reply to this email with the words 
"REMOVE ME" as the subject.

Antwoord per e-mail aan