Domethëniet e një proteste

http://www.kosovapress.com/ks/index.php?cid=1,8,104875

28 Qershor 2010
Domethëniet e një proteste

Xhavit Haliti

Është fjala për një protestë, që në një njoftim fare të shkurtër, të kuadratuar 
në cepin e një faqeje gazete, mbante titullin: “Protesta për shaminë”. Nën këtë 
titull kumtohej se mijra veta protestuan në Prishtinë kundër vendimit për 
ndalimin e mbajtjes së shamisë islamike në shkolla. Më tërhoqi vëmendjen kjo 
protestë, jo aq për përcjelljen mediatike të saj, sesa për problematikën e 
shtruar për zgjidhjen. Gjithsesi, çështja e së drejtës për të mbajtur apo për 
të mos mbajtur shami në shkolla publike është e diskutueshme. Por mendoj se jo 
më pak i diskutueshëm është edhe vendimi i qeverise për të ndaluar mbajtjen e 
shamisë islamike në shkollat publike.

“Protesta për shaminë” është rrjedhojë e besimit fetar, e përkatësisë etnike 
apo e koshiencës qytetare demokratike për të mbrojtur Kushtetutën. Janë këto 
tri mundësi motivimi, që kanë investuar dhe vjelin “kapitalet” e veta në këtë 
reagim.

Besimi (ndërgjegjja) fetar e ka të vështirë të mos preket dhe të mos reagojë 
ndaj pengesave “ligjore e nënligjore” për shfaqjet e simboleve apo riteve të 
veta fetare.Kur përkatësia fetare përkon edhe me identitetin etnik, reagimi i 
besimtarëve të “disiplinuar” me një akt ligjor apo nënligjor është tërësisht i 
përligjur, sepse një gjë e tillë i prek besimtarët edhe në ndërgjegjen 
kombëtare. Prandaj reagimi publik e paqësor i qytetarëve tanë në Prishtinë në 
mbrojtje të “shamisë” ishte tërësisht demokratik dhe në zbatim të Kap.II “Të 
Drejtat dhe Liritë Themelore” të Kushtetutës së R.K.-së, që në Nenin 24, 
(Barazia para Ligjit) në paragrafin 2, sanksionon: ”Askush nuk mund të 
diskriminohet në bazë… të fesë…”.

Në mbështetje e përforcim të citimit të mësipërm të Kushtetutës, po 
parashtrojmë për aq sa na duhet, paragrafin 3-të Nenit 38 : “Askush nuk mund të 
detyrohet ose të ndalohet, në kundërshtim me ndërgjegjen e vet, që të marrë 
pjesë në praktikimin e fesë, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e 
tij/saj”. Kushtetuta jonë aktuale sanksionon vetëm një kufizim me ligj të 
lirisë së manifestimit të fesë, besimit dhe të ndërgjegjes në kushtet kur 
“është e domosdoshme për mbrojtjen e sigurisë dhe rendit publik, të shëndetit 
ose të të drejtave të personave të tjerë”. (Neni 38, pr.4). Besoj se mbajtja e 
shamisë nuk dëmton as sigurinë dhe rendin publik, as shëndetin dhe as të 
drejtat e të tjerëve. Për rastin e shamisë islamike referimi ndaj Kushtetutës 
mendoj se do t’u shërbejë për të reflektuar pozitivisht edhe “super” 
kundërshtarëve të vendimit “kundër shamive”. Ata, të prekur
në ndjenjë nga një vendim i tillë, shfaqen kundërshtues e “ të revoltuar” ndaj 
interpretimeve të ndonjë përfaqësuesi të pushtetit gjyqësor dhe ndaj Avokatit 
tonë të Popullit. Madje, në mbrojtje të kësaj ideje edhe deklarohen: “Franca e 
krishterë, për të ecur përpara, e ka ndarë fenë nga shteti që në vitin 1905”. 
Pa dashur të gjykoj saktësinë e përfundimit, dua të vë në dukje dy fakte: - 
Franca është vendi që e ngriti në teori ateizmin. - Franca moderne pretendon që 
ka të evidentuar vetëm përkatësinë fetare të qytetarëve të vet myslimanë, që 
thuajse përgjithësisht janë me origjinë nga ish-kolonitë e saj të para 
50-vjetëve.

Në dallim nga Franca me të cilën bëhet krahasimi, Republika e Kosovës ende nuk 
është anëtare e OKB-së dhe OSBE-së, nuk është ende e barazvlefshme në status më 
fqinjët e vet kufitarë, nuk ka akoma të drejtën të marrë në shqyrtim dhe të 
ratifikojë Konventën e OKB-së dhe Konventën Evropiane për të Drejtat e Njeriut 
dhe, ca më pak, për minoritetet.

Kosova, ndryshe nga Franca, historikisht dhe tradicionalisht është konsideruar 
dhe trajtuar muslimane. Por sa muslimane në besim është Kosova, kur këtë besim 
e ballafaqojmë me forcën e etnisë, mbetet një çështje për diskutim. Besoj dhe 
jam i bindur që shqiptarizmi sundon absolutisht edhe në ndjenjë, në mentalitet 
mbi përkatësinë fetare.

Do t’i hiqemi ligjit, për t’iu afruar dhe për të pozuar realitetin. Në shkollë 
të rinjtë mund të shkojnë, në varësi të trevës, traditës, familjes, për 
mundësi, zakon apo për modë me veshje kombëtare, me veshjet e kohës (modës), me 
bizhu evropiane ose orientale, me varëse me simbole kristiane apo islame. Është 
fakt që ka edhe shkollarë, që mbajnë veshje ekstravagante, madje edhe 
provokuese. Nuk mendoj se kolektivin e klasës mund ta “dëmtojë”, më tepër në 
planin social dhe moral një “shami” koke te një femër muslimane, se sa një 
minifund anormal.

Problemi i mbajtjes së shamisë nga femrat e besimit musliman në shkolla e 
mjedise publike nuk shfaqet për herë të parë dhe nuk po shfaqet vetëm në 
Kosovë. Për të është diskutuar dhe do të vazhdojë të diskutohet, sepse mendoj 
se një çështje e tillë në një vend demokrtatik, që e garanton lirinë e besimit 
dhe të fesë, nuk mund të zgjidhet me ligj apo akte nënligjore, pa rënë ndesh me 
Kushtetutën. Mendoj se problemi duhet parë e trajtuar në terrenet konkrete dhe, 
kur mendohet se krjon “shqetësime’ t’i jepet zgjidhje sipas kushteve dhe 
rrethanave (fjala vjen, një shkollë e mesme mund të miratojë, në zbatim të 
procedurave, rregulloren që disiplinon dhe unifikon uniformën shkollore). 
Sidoqoftë, kur Ligji Themelor i Shtetit sanksionon, kur legjislativi, 
Parlamenti hesht, çdo akt nënligjor, që, me dëshirën e mirë, përpiqet “të 
zgjidhë një konflikt” është, në mos i dëmshëm i padomosdoshëm! 
 Veprat shpërblehen sipas qëllimit. Hadith



      

-- 
Ju merrni këtë mesazh sepse jeni të anëtarësuar në grupin "Fjala e Bukur" në 
Google Groups.
Për të dërguar në këtë grup, dërgo email në [email protected]
Për t'u ç'anëtarësuar nga ky grup, dërgo email në 
[email protected]
Për më shumë mundësi, vizito këtë grup në 
http://groups.google.com/group/fjalaebukur

Antwoord per e-mail aan